Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë deklaroi fajtorë për shumicën e akuzave shtatë prej të pandehurve të dosjes së quajtur “Revanshi”, të cilët u gjykuan me procedurë të shkurtuar dhe veçmas 20 të pandehurve të tjerë, të cilët u dërguan për gjykim nga SPAK nëntë muaj më parë. Të dhënat e Sky ECC zbuluan atentatet dhe planet për vrasje mes dhjetëra anëtarëve të krimit të organizuar, mes të cilëve dhe ish-deputeti socialist, Arben Ndoka, si dhe përfshirjen e zyrtarëve më të lartë të Policisë së Shtetit në zonën e Lezhës, në kultivimin e bimëve narkotike.
Shtatë të pandehurit e kësaj çështjeje penale që u gjykuan me procedurën e shkurtuar janë, Durim Bani, Jozi Kraja, Aldo Avdyli, Oltion Zefi, Edson Jozëik, Altin Morina dhe ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Alma Kodraliu, Engjëllushe Tahiri dhe Rudina Palloj shpalli vendimin të hënën më 14 shtator, kur vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Durim Bani për sigurim te kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Arben Nokës, për grup të strukturuar kriminal në dy raste dhe kultivim të bimëve narkotike e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit. Në bashkim te dënimeve u caktua masa me 16 vjet burg që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 10 vjet e 8 muaj heqje lirie.
Ndërkohë, i pandehuri Durim Bani u deklarua i pafajshëm për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasjen e shtetasve Tori Xhecula dhe Erigers Mihasi.
Jozi Kraja dhe Aldo Adyli, të akuzuar për sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Durim Banit dhe Valter Banit dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale e grupi strukturuar kriminal, u deklaruan fajtorë për këto vepra penale dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, u dënuan përfundimisht me nga 4 vjet e 8 muaj burgim secili.
Oltion Zefi, i pandehur për trafikim të narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal u dënua përfundimisht me 10 vjet burg. Për të njëjtat vepra penale u gjet fajtor dhe i gjykuari Edson Jozëik, ndaj të cilit u caktua masa me 8 vjet heqje lirie.
Ish-drejtori i Policisë se Lezhës, Henerigert Mitri u dënua me 5 vjet e 4 muaj burgim për kultivim të bumëve narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal, për grup të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.
Gjykata deklaroi fajtor të pandehurin Altin Morina për kultivim të bimëve narkotike, të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal; për grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit. Ndaj, tij u caktua masa përfundimtare e dënimit me 6 vjet e 8 muaj burgim.
Për këtë të pandehur, trupi gjykues vendosi të pushojë një akuzë të dytë të ngritur për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak.





