Ndërron jetë në moshën 76-vjeçare ish-deputetja dhe aktivistja Flora Brovina

15 Shtator 2026 | 14:32

Ka vdekur në moshën 76-vjeçare aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetja Flora Brovina. Lajmin për vdekjen e Brovinës e kanë bërë të ditur familjarët e saj.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se fjalët për humbjen e Brovinës janë të pakta. Ai e ka kujtuar Brovinën si simbol të qëndresës dhe dashurisë për atdheun.

“Sot na la Flora Brovina. Na la një grua e fortë, një nënë, mjeke, intelektuale dhe veprimtare që gjithë jetën ia kushtoi Kosovës dhe qytetarëve të saj. Flora nuk u përkul kurrë para vështirësive. Ajo qëndroi me dinjitet, guxim dhe përkushtim deri në fund të jetës. Për mua, për PDK-në dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin, ajo do të mbetet përjetësisht simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun”, ka shkruar ai në Facebook.

Sakaq, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Brovina do të kujtohet si grua që organizoi ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës.

“Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Kush ishte Flora Brovina? 

Dr. Flora Brovina ishte Mjeke, Poete, Humaniste,  Aktiviste për të Drejtat e Njeriut, Ish e Burgosur Politike, Veterane e Luftës së UÇK-së, Deputete, Nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës

Dr. Flora Brovina, e lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj, është një nga figurat më të njohura të jetës humanitare, politike, shoqërore dhe kulturore të Kosovës. Për më shumë se pesë dekada, veprimtaria e saj është ndërthurur me mjekësinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të grave, rezistencën kombëtare, letërsinë dhe ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Arsimi dhe karriera profesionale

Flora Brovina përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në pediatri, me studime të mëtejshme në pediatrinë klinike. Një pjesë të specializimit profesional e zhvilloi në Zagreb.

Për shumë vite punoi si mjeke pediatre, përfshirë angazhimin në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.

Ajo pati gjithashtu një përvojë rreth nëntëvjeçare si gazetare e shëndetësisë në gazetën “Rilindja”, duke bashkuar profesionin e mjekes me komunikimin publik dhe angazhimin shoqëror. Kuvendi i Kosovës e evidenton në biografinë e saj zyrtare si mjeke pediatre dhe ish-gazetare të “Rilindjes”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kriza politike në Kosovë, reagon SHBA

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, por e bënë të qartë se kriza e zgjatur politike dhe vonesat...
13:40 | 15/09/2026

Skenari i fundit! A do ta pranojë Kurti Hashim Thaçin president?

I ftuar në Euronews Albania me gazetarin Thimi Samarxhiu, profesor Klejd Këlliçi u shpreh se nuk beson që Hashim Thaçi do të jetë kandidat për...
09:36 | 15/09/2026

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president, reagon LVV

Lëvizja Vetëvendosja ka reaguar pas vendimit të kandidatit për deputet, Bekim Sejdiu për t’u tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës. Përmes një deklarate për...
22:25 | 14/09/2026