Pagat e magjistratëve, thirren në komision institucionet e drejtësisë! KLP-GJL kundër formulës së PS, i bashkohet PD

Aktualitet

Publikuar: 15/09/2026

Pagat e magjistratëve, thirren në komision institucionet e drejtësisë! KLP-GJL kundër formulës së PS, i bashkohet PD

Në Komisionet parlamentare vijon diskutimi i projektligjit të socialistëve për pagat e magjistratëve, ku janë thirrur për seanca dëgjimore drejtues të institucioneve të drejtësisë. KLGJ, KLP, Gjykata e Lartë e institucione të tjera e kundërshtojnë propozimin e mazhorancës, pasi sipas tyre e shkel vendimin e Kushtetueses.“Nuk jemi njohur me detaje, por rritja është minimale, ka një diferencë të madhe me vendimin tonë, nuk reflekton standardin e vendosur nga gjykata kushtetuese”, tha kryetarja e KLP Mirela Bogdani.

‘Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, jo orientim, por detyrim, ka caktuar detyrimin dhe afatin, e më tej pasojat. Gjykata e Lartë nuk kundërshton në parim që ligjvënësi të propozojë një referencë të re, por ajo që keni propozuar ju, nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur nga gjk, ne propozojmë një mekanizëm që sjell respektimin real të Gjykatës Kushtetuese”, tha zv. kryetari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda, në komisionin e ligjeve.

Qëndrimit të tyre i është bashkuar edhe Partia Demokratike. Nismë antikushtetuese të Partisë Socialiste e quajti kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, teksa foli në komisionin e të Drejtave të Njeriut.

“Me këtë ligj që keni sjellë ju, do të vijmë prapë këtu, sepse ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta rrëzojë sërish atë. Sepse ky propozim është në shkelje të hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm duke mos e reflektuar atë, por duke bërë të kundërtën e asaj që kërkohet. Kur kemi bërë reformën në drejtësi, kemi qenë të qartë se duhet t’i kthejmë integritetin gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne nuk mund t’i trajtojmë sot si lëmoshë. Në fund fare, ne duhet t’i trajtojmë ata minimalisht si veten.

Ne ia rritëm rrogën vetes pak vite më parë me rreth 50%, kryeministrit me më shumë se 60%, ministrave me më shumë se 60%. Ne na paguhet nafta, telefoni dhe gjithçka tjetër. Nuk mund të bëhet krahasim me deputetët apo ministrat. Po, një gjyqtar duhet ta kalojë edhe deputetin, edhe ministrin, edhe presidentin. Çfarë bën Bajram Begaj që rri kot në zyrë dhe nuk mund të marrëka më shumë një magjistrat? Janë këta gjyqtarë që janë përballë krimit dhe japin dënime me burgim të përjetshëm. Prandaj meritojnë integritet dhe, e përsëris, nuk mund t’i trajtojmë për lëmoshë.”, tha Bardhi.

Qeveria, përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, i cili kritikoi Kuvendin për vonesën, tha se drafti zgjidh situatën.

“Është një çështje shumë e rëndësishme. Kuvendi e humbi afatin e 31 korrikut, kjo është një gjë që nuk ka nevojë të justifikohemi. Bylykbashi ngriti disa pikëpyetje për rolin ligjvënës, dhe ne jemi të hapur për përgjegjësinë që na takon për këtë proces.

Dua të them një gjë shkoqur, nuk besoj se vonesa e Kuvendit të sillte përplasje mes pushteteve. Edhe projektligji që vjen bën pikërisht këtë gjë, një ndreqje të një gabimi që është bërë. Thelbi është te pyetja se kush duhet të vendosë për pagat? Dhe këtë e thotë vetë Gjykata Kushtetuese, që e vendos vetë Kuvendi dhe e vendos me ligj”, tha Gogu.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, mazhoranca po shkon drejt miratimit të një formule për pagat e magjistrave në seancën e ardhshme, më 17 shtator. Në komisione parlamentare ka nisur diskutimi i projektligjit të propozuar nga socialistët, që paga referuese e magjistratëve të rritet nga 36 në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.

Pritet që të jetë pikërisht ky propozim që do të miratohet, me qeverinë që ka dhënë dakordësinë përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.  Drafti i PS parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, ndërkohë që pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.

Report Tv ka siguruar edhe mendimin zyrtar që Këshilli i Ministrave i ka dërguar Kuvendit. Qeveria përllogarit rreth 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, periudhë nga e cila Kushtetuesja kërkon efektet financiare. Për shkak të kostos, propozon që shuma të mos paguhet menjëherë, por me këste brenda dy viteve.