Debat për procedurat e tenderave, PS e PD paraqesin kritikat për mënyrën se si zhvillohen garat mes kompanive

Komisioni për Nismat Qytetare u përfshi nga debatet për shkak të mënyrës se si zhvillohen procedurat e tenderave. Garat ku marrin pjesë disa kompani, por që përfundojnë me vetëm një ofertues dhe kontratat e fituara me fond limit, u cilësuan si problematike nga opozita.
“Shqipëria, i vetmi vend kandidat ku kryeministri merret me tenderët. Kemi raste ku, formalisht, kemi disa ofertues, por ofertuesi i vërtetë është vetëm një. Kjo sepse duket se janë kalkuluar mungesat e dokumentacionit ose mangësitë e ulëta dhe gabimet. Pra, përsëri flamujt e kuq. Përfundojnë me një ofertues të vetëm, që e ka vlerën më të lartë të fondit limit”, tha Ivi Kaso, deputet i Partisë Demokratike.
Në përgjigje, drejtoresha e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta u shpreh se ligji aktual i prokurimeve publike është transparent.
“Procesi është transparent. E përcakton ligji. Nuk ka një shpjegim ligjor për ofertuesit, sepse, në bazë të ligjit të prokurimeve, nuk ka nevojë të kesh shumë oferta për ta mbyllur një procedurë me sukses. Mjafton një ofertë e suksesshme. Ne dalim të vlerësuar për sistemin e prokurimit, shkëlqyeshëm në rajon dhe shumë mirë edhe në raport me vendet e BE-së”, tha Kashta.
Por edhe socialistët shprehën rezervat e tyre. Kryetari i Komisonit, Fatmir Xhafaj, ngriti shqetësimin se kompani të cilat kanë një sërë problemesh, lejohen të marrin pjesë në gara.
“Ka subjekte që kanë dështuar në objektiva, por prapë i gjejmë si konkurrues në gara të tjera. Po ndërtove pa leje në Tiranë dhe pastaj merr pjesë sërish në gara për të ndërtuar, ke humbur cilësinë e një operatori serioz në treg”, tha Xhafaj.
Më herët, pjesë e mbledhjes ishte dhe drejtori i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Angelo Koleka, i cili pranoi se ankesat kryesore të qytetarëve lidhen me Kadastrën, gjendjen civile, shëndetësinë dhe bashkitë.




