Kryeministri Edi Rama ka reguar për vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lehtësimin e masës së sigurisë dhe nxjerrjen e tij nga paraburgimi.
Rama e paraqiti situatën si një “eksperiment të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik” duke thënë se Tirana prej afro dy vitesh po funksionon “me kokë të prerë”.
Sipas tij nuk ka prova për një “rrezikshmëri ekstreme” që, sipas tij, të justifikojë vazhdimin e masës së sigurisë ndaj Veliajt.
Reagimi:
Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!
Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.
Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:
Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik














