
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka dënuar në Parlamentin Evropian glorifikimin e ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, pas funeralit të tij. Ajo e cilësoi ceremoninë si shqetësuese dhe paralajmëroi se glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.
Gjatë debatit në Parlamentin Evropian, Kos tha se pamjet nga funerali i Mlladiçit tregojnë vështirësitë që Serbia vijon të ketë në përballjen me të kaluarën dhe krimet e luftës.
“Glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe nuk ka vend në BE”, deklaroi komisionerja evropiane.
Ajo kritikoi pjesëmarrjen në ceremoni të ministrave, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të ushtrisë serbe, si dhe të drejtuesve e politikanëve të Republikës Srpska, të cilët nderuan Mlladiçin.
Sipas Kos, është e papranueshme që një person përgjegjës për krime të rënda lufte të paraqitet si hero. Ajo u bëri thirrje autoriteteve serbe dhe aktorëve të tjerë në rajon që të angazhohen në procesin e pajtimit dhe në forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Megjithatë, komisionerja evropiane theksoi se qëndrimet e shfaqura gjatë funeralit nuk përfaqësojnë të gjithë shoqërinë serbe. Sipas saj, qytetarë nga Serbia dhe vende të tjera të rajonit kanë shprehur kundërshtimin ndaj glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe kanë kërkuar një Serbi demokratike dhe evropiane.
“Dinjiteti i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës nuk mund të negociohet”, tha Kos.
Ajo nënvizoi se Bashkimi Evropian nuk kërkon që Serbia të mohojë identitetin apo historinë e saj, por të përballet me të kaluarën në mënyrë të ndershme dhe të përgjegjshme.
Kos theksoi gjithashtu se Serbia ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe se pajtimi mbetet një element i rëndësishëm i perspektivës evropiane të rajonit.
Në përfundim, komisionerja garantoi se Komisioni Evropian do të vijojë të mbështesë rrugën evropiane të Serbisë, duke theksuar se respektimi i vlerave evropiane, sundimi i ligjit dhe përballja me të kaluarën janë thelbësore për procesin e integrimit./Versus.al

