Ish-ylli i Premier League dhe i kombëtares angleze, Raheem Sterling, ka pranuar fajësinë për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe posedim të oksidit të azotit, i njohur gjerësisht si “gazi i të qeshurit”.
Futbollisti 31-vjeçar u paraqit këtë të martë në Gjykatën e Magjistratëve në Basingstoke, pas një aksidenti me Lamborghini-n e tij, me vlerë rreth 270 mijë paund.
Sterling përballet me disa akuza, mes tyre drejtim të rrezikshëm, posedim të oksidit të azotit për inhalim të paligjshëm, si dhe mosdhënie të një kampioni pas arrestimit të tij në muajin maj. Për akuzën kryesore, ai rrezikon një dënim që mund të shkojë deri në dy vite burg.
Ngjarja ndodhi më 28 maj 2026, pak para orës 09:00, në autostradën M3 në Hampshire. Disa drejtues automjetesh njoftuan shërbimet e emergjencës pasi vunë re një automjet të zi luksoz 4×4 që lëvizte në mënyrë të rrezikshme dhe zigzaguese në rrugë.
Sterling u arrestua pranë një kryqëzimi në zonën e Farnborough. Automjeti i tij doli nga rruga pas incidentit.
Policia e Hampshire dhe Isle of Wight konfirmoi se në aksident nuk u përfshi asnjë automjet tjetër dhe se nuk pati persona të lënduar.
Oksidi i azotit, i njohur si “gazi i të qeshurit”, u riklasifikua si substancë e kontrolluar e klasës C në Britani në nëntor 2023. Përdorimi i tij për qëllime inhalimi mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin.
Nga Liverpool te Manchester City dhe Chelsea
Sterling e nisi karrierën e tij profesionale te Liverpool, pasi u afrua në moshën 15-vjeçare nga akademia e Queens Park Rangers.
Në vitin 2015, ai u transferua te Manchester City, ku ndërtoi periudhën më të suksesshme të karrierës së tij. Me klubin anglez fitoi katër tituj të Premier League, pesë Kupa të Ligës dhe një FA Cup.
Në vitin 2022, Sterling kaloi te Chelsea për rreth 50 milionë paund, por aventura e tij në Londër nuk shkoi sipas pritshmërive. Më pas ai u huazua te Arsenal, ndërsa në shkurt iu bashkua klubit holandez Feyenoord.
Marrëveshja me Feyenoord përfundoi gjatë verës dhe aktualisht Sterling është pa klub.
Në nivel ndërkombëtar, sulmuesi ka zhvilluar 82 ndeshje me kombëtaren angleze.
Pas largimit nga Manchester City dhe transferimit te Chelsea, Sterling kaloi një periudhë të vështirë në aspektin profesional, ndërsa kohët e fundit ka qëndruar më larg vëmendjes publike.
Tashmë, ish-ylli i futbollit anglez duhet të përballet edhe me pasojat ligjore të incidentit të ndodhur në autostradën M3.

