Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i cili la në fuqi masën “arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehet se Tirana vijon të jetë pa drejtuesin e saj të zgjedhur, duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, e ka cilësuar Veliajn si kryetar në detyrë dhe të palëvizshëm nga funksioni.
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se vendimet e gjykatave duhet të respektohen, duke shtuar se edhe ai vetë i nënshtrohet këtij parimi.
“Rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nënshtrohem gjithnjë këtij rregulli – madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë”, shprehet Rama.
Megjithatë, kreu i qeverisë ka kritikuar kohëzgjatjen e qëndrimit të Veliajt në qeli dhe mënyrën se si po zhvillohet çështja.
Sipas Ramës, “kalvari i Erion Veliajt është unik në historinë e Europës demokratike”, ndërsa ai pretendon se deri tani nuk është evidentuar një provë e “rrezikshmërisë ekstreme” që, sipas tij, do të mund të justifikonte mbajtjen e gjatë në qeli të një personi të zgjedhur nga qytetarët.
Rama e zhvendos vëmendjen edhe te pasojat që, sipas tij, po sjell kjo situatë për kryeqytetin.
“Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, deklaron kryeministri.
Reagimi i Ramës vjen pak orë pasi Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë ndaj Veliajt, i cili ndodhet në burg që prej shkurtit 2025, në kuadër të hetimeve të SPAK.

