- 17:32, 15/09/2026
Rama nuk ka folur kurrë për të sqaruar. Më shumë ka folur për të zhvendosur vëmendjen, për të ndryshuar këndin e pamjes, për ta bërë një çështje serioze të duket qesharake dhe një pyetje të drejtë të tingëllojë si bezdi. Në duart e tij gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi politik, por është bërë një lloj brushi me të cilin ai pikturon realitetin sipas nevojës së çastit: ngjyros atë që dëshiron të duket, zbeh atë që nuk dëshiron të shihet dhe, mbi të gjitha, vizaton një buzëqeshje aty ku publiku pret një përgjigje. Këtu ndoshta qëndron edhe një nga veçoritë më të pazakonta të mënyrës së tij të qeverisjes: ai nuk përpiqet gjithmonë ta mohojë problemin, sepse mohimi i drejtpërdrejtë mund të jetë i rrezikshëm; përpiqet ta ndryshojë kuptimin e tij, ta bëjë më të vogël, ta kthejë në shaka, ta mbështjellë me një metaforë, ta zhvendosë nga përgjegjësia e pushtetit të tij .
Ironia, në vetvete, nuk është as e keqe dhe as antidemokratike. Një politikan mund të jetë ironik, madje ironia mund të jetë një armë e fuqishme kundër hipokrizisë, gënjeshtrës dhe absurditetit që në fakt kanë përpirë gjakun e tij. Por problemi fillon atëherë kur ironia përdoret jo për të goditur pushtetin, por për të shmangur kritikat ndaj pushtetit; jo për të zbuluar absurditetin, por për ta fshehur atë. Atëherë ironia nuk është më zgjuarsi. Është teknikë përçmimi. Dhe përçmimi është një mënyrë shumë e vjetër e pushteteve despotike për t'i thënë qytetarit: mos më pyet kaq shumë, sepse unë mund ta bëj edhe pyetjen tënde qesharake.
Kjo skemë është parë pothuajse në çdo herë në komunikimin e Edi Ramës. Rasti McGonigal ishte një nga shembujt më karakteristikë, sepse përballë një çështjeje që kishte marrë përmasa ndërkombëtare dhe ku emri i kryeministrit shqiptar ishte përmendur në dokumentet dhe dëshmitë që lidhnin ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal me Shqipërinë, Rama u përpoq gjithmonë që ta zhvendoste debatin nga pyetja konkrete tek karikatura e komunikimit. Në Kuvend, në mars 2023, ai përdori një gjuhë të mbushur me ironi dhe përqeshje, duke folur për “gomarllëkun”, “pisllëkun” dhe “shejtanllëkun” e politikës dhe duke bërë shaka me pretendimet e kundërshtarëve.
Kjo është pikërisht ajo që bën brushën e gjuhës: në vend që tabloja të mbetet ajo që është, ajo retushohet. Dhe problem nuk është se “çfarë ndodhi?”, por “sa qesharak është ai që po e pyet këtë?”. Përgjegjësia kështu në kë tym nuk zhduket, por zhvendoset. Skandali nuk përgënjeshtrohet domosdoshmërisht me fakte; ai mbulohet me një shfaqje gjuhësore. Dhe publiku, në vend që të përqendrohet te dokumenti, te takimi, te marrëdhënia, te përgjegjësia politike, ftohet të qeshë me kundërshtarin.
Një teknikë e ngjashme u pa edhe te çështja e inceneratorëve. Në shkurt 2022, pas një dëshmie shumëorëshe në Komisionin Hetimor për trajtimin e mbetjeve, Rama u pyet për qëndrimin e tij ndaj inceneratorëve dhe për bashkëpunimin me Lefter Kokën. Përgjigjja e tij nuk ishte një shpjegim i gjatë mbi përgjegjësinë politike ose juridike, por një kombinim qortimi, morali dhe ironie: gazetarit iu tha se duhej të kishte kujdes me pyetjet dhe në fund despoti përdori edhe shprehjen “Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh është djallëzore”.
Edhe këtu gjuha e tij bën një punë të çuditshme. Një çështje që kërkon përgjigje konkrete për kontrata, procedura, përgjegjësi institucionale dhe para publike transformohet në një leksion mbi etikën e gazetarit, mbi mënyrën se si duhet bërë pyetja dhe mbi cilësitë morale të atij që pyet. Është sikur një njeri të thirret për të shpjeguar një zjarr dhe, në vend që të tregojë se kush e ndezi, të fillojë t'u shpjegojë zjarrfikësve se si duhet të mbajnë zorrën e ujit.
Kjo është një nga magjitë djallëzore të këtij përbindëshi : përgjigjja nuk i përgjigjet pyetjes, por e zhduk atë. Dhe kur zhdukja bëhet me humor, publiku për një çast harron se ishte duke pritur një përgjigje. Në këtë pikë ironia bëhet një lloj anestetik politik. Të bën të qeshësh pikërisht në momentin kur duhet të shqetësohesh.
Por shembulli më i freskët dhe ndoshta më domethënës është ai i Belinda Ballukut dhe përplasjes me kërkesën e SPAK për kufizimin e lirisë së saj. Në mars 2026, pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK-ut, Rama e paraqiti çështjen si një problem të kushteve procedurale dhe këmbënguli se Balluku nuk ishte e akuzuar për korrupsion, ndërsa reagimet kritike ndaj vendimit i quajti të deformuara. Kur reaguan edhe ambasadat britanike dhe gjermane, ironia u kthye përsëri në mjet politik, me shprehjen e tij për “Shoqatën e Molotovarëve të Tiranës” që, sipas tij, kishte filluar të fliste edhe në emër të Gjermanisë.
Këtu ndodh diçka edhe më interesante. Problemi nuk është më vetëm për një ministre apo për një procedurë parlamentare. Problemi është për marrëdhënien mes pushtetit dhe drejtësisë, për kufijtë e mazhorancës përballë një institucioni të drejtësisë dhe për mënyrën se si një qeveri duhet të sillet kur një nga njerëzit e saj më të rëndësishëm përballet me një hetim. Por në vend të kësaj, skena politike e kryeministrit zhvendoset te molotovët, karikaturat, shoqatat imagjinare dhe përqeshja e kundërshtarëve. Kjo është aq e përsosur si teknikë sa mund të thuash se ironia nuk është më koment mbi realitetin; ajo është vetë mekanizmi për ta ndryshuar realitetin në ekranin e publikut.
Rama ka kuptuar prej kohësh se në politikën e spektaklit nuk është gjithmonë e nevojshme që të fitosh argumentin; mjafton të fitosh ritmin e bisedës. Nëse kundërshtari flet për një dosje, ti flet për një karikaturë. Nëse ai flet për një kontratë, ti flet për paaftësinë e tij imagjinare. Nëse pyet për përgjegjësi, ti i përgjigjesh me një batutë. Nëse kërkon shpjegim për një vendim të qeverisë, ti i tregon se sa qesharak është ai që po kërkon shpjegimin. Dhe kështu, pa e kuptuar, debati politik largohet nga faktet dhe rëndësia dhe futet në territorin ku Rama me arrogancën e tij diktatoriale ndihet më i fortë: territorin e spektaklit.
Kjo shpjegon edhe një paradoks të komunikimit të tij. Ai është i vetmi politikan shqiptar dhe ndoshta unikal edhe ne Europë që e ka përdorur më shumë gjuhën për të krijuar imazhin e një njeriu që nuk trembet nga askush, ndonëse është një lepur ferre, por pikërisht kjo liri e tepruar e gjuhës shpesh i shërben shmangies së pyetjeve që nuk dëshiron t'u përgjigjet. Sa më e madhe të jetë zhurma e batutës, aq më e vogël bëhet hapësira për pyetjen. Sa më shumë qesh publiku, aq më pak dëgjohet dokumenti.
Prandaj nuk është e rastësishme që ironia e Ramës shpesh shkon përtej kundërshtarit politik dhe prek edhe gazetarët, kritikët, protestuesit, institucionet,ndërkombëtarët apo njerëzit që ngrenë kundërshtime të forta ndaj qeverisjes shkatërruese të tij. Në këtë mënyrë krijohet një hierarki e re komunikimi: pushteti nuk është vetëm ai që qeveris, por edhe ai që përcakton se çfarë është serioze dhe çfarë është qesharake.
Këtu qëndron edhe absurdi i madh i kësaj historie. Rama, i cili e ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të figurës së tij publike mbi buzëqeshjen, batutën, ngjyrën, metaforën dhe spektaklin, e ka kthyer politikën në një skenë ku edhe kriza duhet të duket si shfaqje. Vetëm se ka një ndryshim të madh midis pseudoartistit që përdor brushën për të zbuluar diçka dhe politikanit që e përdor brushën për ta mbuluar. I pari krijon art; i dyti krijon manipulim.
Dhe këtu duhet kërkuar edhe kuptimi më i thellë i “tiranisë së buzëqeshjes” në të cilin ai shfaq portretin e tij psikologjik dhe politik . Nuk është buzëqeshja vetë problemi. Problemi është buzëqeshja që shfaqet në vendin e përgjegjësisë, ironia që zë vendin e transparencës dhe batuta që përdoret si përgjigje kur qytetari kërkon llogari dhe transparencë. Një kryeministër mund të qeshë me kundërshtarin e tij, por nuk mund të qeshë në vend të përgjigjes. Mund të përdorë ironinë kundër një kundërshtari, por nuk mund ta përdorë ironinë për të shpëtuar nga përgjegjësia e pushtetit.
Në fund të fundit, një demokraci nuk matet me aftësinë e kryeministrit për të prodhuar batuta, por me aftësinë e tij për t'u përgjigjur shqetësimeve dramatike te qeverisjes që nuk janë aspak për të qeshur. Dhe aty ku pyetjet janë për para publike, drejtësi, korrupsion, krim të organizuar,trafiqe droge,kontrata, përgjegjësi qeveritare apo marrëdhënie të dyshimta me njerëz të pushtetit, ironia nuk është më shenjë superioriteti. Ajo është shenja se kryeministri po përpiqet të arratiset nga përgjegjësitë e mëdha dhe kërkesa e madhe llogarisë që e pret dhe që nuk do ti shmanget dot kurrë.
Rama e ka bërë këtë gjuhë një art të veçantë të pushtetit: e merr përgjegjësinë, e vendos mbi telajo, e lyen me pak humor, i shton një karikaturë problemit, një metaforë, një batutë dhe në fund, kur tabloja është gati, të thotë se problemi nuk është ajo që ke parë, por fakti që nuk di të qeshësh. Vetëm ama ka një problem me këtë pikturë: realiteti nuk është telajo e kryeministrit. Skandalet nuk zhduken sepse u vihet një ngjyrë tjetër. Dokumentet nuk bëhen më pak të vërteta sepse kryeministri diktator i quan “politikë të pistë”. Aq më shumë që përgjegjësia nuk mund të fshihet përgjithmonë pas një buzëqeshjeje.
Sepse edhe brushat më të mira konsumohen edhe buzëqeshjet më të gjata lodhen. Dhe kuptohet që tashmë publiku nuk kërkon më të qeshë. Kërkon të të gjykojë.
© SYRI.net