POLITIKË /

"Ligjet" miratojnë pr/ligjin e PS për pagat e magjistratëve, gjykatësit e prokurorët paralajmërojnë dërgimin në Kushtetuese

Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë nisi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.

Shkruar nga Versus

"Ligjet" miratojnë pr/ligjin e PS për pagat e

Komisioni i Ligjeve miratoi nen për nen ndryshimet ligjore për rritjen e pagave të magjistratëve. Miratimi i draftit i hap rrugë shqyrtimit dhe votimit të tij të enjten në seancë plenare.

Me kërkesë të Partisë Demokratike dhe me dakordësinë e mazhorancës, në komision u thirrën për t’u dëgjuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të cilët kundërshtuan formulën e propozuar nga qeveria.

Në emër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryetarja Mirela Bogdani u shpreh kundër formulës së mazhorancës. Në të njëjtën linjë ishte edhe zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.

Më i ashpër në qëndrimin e tij përpara deputetëve ishte kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, Gerd Hoxha. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të negociohet.

Kundër draftit u rreshtua edhe opozita, e cila kërkoi rrëzimin e ndryshimeve dhe kritikoi qeverinë për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.

Nga ana e tyre, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kundërshtuar formulën e propozuar nga mazhoranca socialiste për ndryshimin e pagave të magjistratëve, duke argumentuar se rritja e parashikuar nuk përmbush standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Ata u shprehën se, nëse projektligji miratohet në formën e propozuar, ai do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Përplasja për pagat në sistemin e drejtësisë nisi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.

Pas përfundimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën që, nga 1 gushti, paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, duke i shtuar edhe 14 mijë lekë për kualifikimin./Versus.al

Poll