Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e pafajësisë për Ergys Kolaverin dhe ka urdhëruar rigjykimin e çështjes së tij nga një tjetër trupë gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Vendimi është shpallur sot, ndërsa trupa gjyqësore ka vendosur që çështja të rikthehet për shqyrtim në të njëjtën gjykatë, por nga një trupë tjetër.
Kolaveri ishte dënuar më herët me 20 vite burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda, me një vendim të vitit 2016. Më pas, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ndryshoi vendimin dhe më 26 tetor 2022 e shpalli atë të pafajshëm. Tashmë, Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë vendimmarrje dhe ka rikthyer dosjen për rigjykim.
Çështja lidhet me një atentat me armë zjarri të vitit 2016, i kryer me një armë tip snajper në burgun e Vaqarrit. Sipas hetimeve, objektiv i sulmit dyshohet se ishte i burgosuri Gazmir Daci, për motive që lidhen me gjakmarrjen.
Megjithatë, gjatë atentatit u plagos një tjetër i burgosur, L. Dulaj, i cili sipas hetimeve rezultoi të ishte objektivi i gabuar i sulmit.
Ergys Kolaveri ishte akuzuar nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas akuzës, atentati dyshohej se ishte kryer për motive gjakmarrjeje ndaj Gazmir Dacit, i cili ishte përfshirë më herët në vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e rëndë të një tjetër vëllai të tij.
Për këto ngjarje, Daci ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 35 vite burgim.
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja ndaj Ergys Kolaverit do të shqyrtohet sërish nga një trupë tjetër gjyqësore në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila do të duhet të marrë një vendim të ri mbi përgjegjësinë e tij penale.

