POLITIKË /

"Se çfarë do flasim e dimë ne"! Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve përplaset me Ulsi Manjën, deputeti i fik mikrofonin

Hoxha këmbënguli se duhej t’i jepej mundësia të shprehte qëndrimin e Unionit pa u orientuar se çfarë duhej të diskutonte.

Shkruar nga Versus

"Se çfarë do flasim e dimë ne"! Kryetar i Unionit

Gjatë diskutimit në Komisionin kuvendor të Ligjeve, për pr/ligjin e pagave të gjyqtarëve, pati dhe momente tensioni mes kryetarit të komisionit deputetit socialist Ulsi Manja dhe kryetarit  të Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha.

Hoxha kërkoi që Unioni të shprehej edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Manja theksoi se e nevojshme do të ishte të diskutohej për projektligjin që po shqyrtohej nga komisioni.

Hoxha këmbënguli se duhej t’i jepej mundësia të shprehte qëndrimin e Unionit pa u orientuar se çfarë duhej të diskutonte.

 Në një moment, pas replikave mes tyre, Manja urdhëroi fikjen e mikrofonit të Hoxhës.

Kryetari i Gjykatës së Tiranës deklaroi se gjyqtarët janë të gatshëm të negociojnë mënyrën e pagesës së detyrimeve të prapambetura, edhe pse, sipas tij, ato u takojnë menjëherë në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Neve na dhimbset buxheti i shtetit. Jemi gati të negociojmë pagesën e prapambetur. Të mos e marrim menjëherë, edhe pse na takon menjëherë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ta zgjasim edhe në 2 apo 3 vite pagesën”, deklaroi ai.

Hoxha tha gjithashtu se mund të negociohet edhe për paditë individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat, sipas tij, krijojnë një kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.

Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e kostos së pagave të prapambetura lidhet me institucione të tjera që kanë paga të indeksuara me atë të gjyqtarëve. 

“Ne jemi gati në negociojmë dhe paditë individuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër gjykata, që dhe ato kanë një kosto gati që e rëndojnë 17% buxhetin e shtetit. Kosto e pagave të prapambetura nuk është kostoja jonë të nderuar. Ne kemi 50% të kësaj shume, janë kostot e institucioneve të tjera që referohen te paga e gjyqtarit. Këto e kanë ngritur 50%”,- tha Hoxha.

Poll