Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    NATO mbledh Këshillin e Atlantikut të Veriut për Kosovën: KFOR-i gati për çdo skenar

    Të shtëna me armë në Stamboll, 3 të vrarë dhe një i plagosur, arrestohet një i dyshuar

    Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë? Mbi 40.6 milionë euro të paguara

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë? Mbi 40.6 milionë euro të paguara
    Kosovë

    Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë? Mbi 40.6 milionë euro të paguara

    September 15, 2026

    Mbi 40.6 milionë euro janë paguar nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara në Hagë. Pjesa dërrmuese e kësaj shume, rreth 39.8 milionë euro, është shpenzuar për mbrojtjen juridike, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.

    Vetëm për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, nga viti 2021 deri më 14 shtator 2026 janë paguar rreth 28.47 milionë euro.

    Të dhënat bëhen publike në prag të 16 shtatorit, kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së pritet të marrin aktgjykimin pas më shumë se tre vitesh proces gjyqësor. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020 dhe akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër i kanë mohuar akuzat dhe janë deklaruar të pafajshëm.

    Mbi 28 milionë euro vetëm për katër ish-krerët e UÇK-së

    Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga fillimi i pagesave deri më 14 shtator 2026, shteti i Kosovës ka shpenzuar mbi 40.6 milionë euro në kuadër të programit për mbështetjen e personave të akuzuar para Dhomave të Specializuara.

    Nga kjo shumë, rreth 39.8 milionë euro kanë shkuar për mbrojtjen juridike. Për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë paguar gjithsej rreth 28.47 milionë euro gjatë periudhës 2021-2026.

    Kosova e ka marrë përsipër me ligj financimin e mbështetjes për personat e akuzuar ose potencialisht të akuzuar nga Dhomat e Specializuara, duke përfshirë shpenzimet e mbrojtjes juridike dhe forma të tjera të mbështetjes të përcaktuara me ligj.

    Për vitet 2020 dhe 2021 së bashku ishin ndarë 14.14 milionë euro për zbatimin e këtij ligji. Në vitin 2022 u ndanë 6.85 milionë euro, në vitin 2023 rreth 7 milionë euro dhe në vitin 2024 6.85 milionë euro. Për vitet 2025 dhe 2026 janë parashikuar nga 8.05 milionë euro.

    Në total, këto ndarje arrijnë në rreth 50.95 milionë euro për periudhën 2020-2026. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë të dhëna për vitet para vitit 2020, ndonëse Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacion për çdo vit që nga 2015.

    Ndërkohë, të dhënat buxhetore të mbledhura nga Radio Evropa e Lirë tregojnë se ndarjet për këtë qëllim gjatë periudhës 2018-2026 tejkalojnë 60 milionë euro.

    Ministria e Drejtësisë thotë se aktualisht nuk ka detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi.

    Auditimi i shpenzimeve dhe kërkesat për transparencë

    Shpenzimet për mbrojtjen në Hagë i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, por rezultatet e këtij auditimi nuk janë të qasshme për publikun.

    Në raportet e auditimit të Ministrisë së Drejtësisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka sqaruar se pagesat nga subvencionet dhe transferet për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar janë të klasifikuara në nivelin “i kufizuar”. Për këtë arsye, ato nuk përfshihen në raportin publik të auditimit të ministrisë.

    Sipas ZKA-së, këto pagesa auditohen veçmas dhe për to përgatitet një raport i posaçëm, i cili u komunikohet vetëm palëve përgjegjëse.

    Mungesa e transparencës për mënyrën se si janë përdorur fondet publike ka qenë prej vitesh objekt kritikash nga organizatat që monitorojnë procesin.

    Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se IKD ka ngritur që nga viti 2020 shqetësime për mungesën e informacionit mbi mënyrën e shpenzimit të parave publike për mbrojtjen në Hagë.

    “Jo rrallëherë kemi parë edhe politizim të partisë në pushtet lidhur me shpenzimet e mbrojtjes, duke publikuar shumat totale për të gjithë të pandehurit, duke ndërtuar jo rrallëherë dhe narrativin sikur shteti po shpenzon miliona euro për të njëjtit”, ka deklaruar Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, qytetarët duhet të kenë informacion jo vetëm për shumën totale, por edhe për shpenzimet për secilin të akuzuar dhe kategoritë e shërbimeve të mbuluara, pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes.

    Edhe Anton Nrecaj, drejtor në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillimin Rajonal, kërkon një ndarje më të qartë mes fondeve të planifikuara dhe shumave të shpenzuara realisht.

    “Janë publikuar disa shuma individuale, por jo të gjitha të dhënat janë të plota. Publiku duhet të dijë shumën, periudhën, kategorinë dhe bazën e pagesës, pa cenuar konfidencialitetin e mbrojtjes”, është shprehur Nrecaj.

    Sipas tij, transparenca duhet të mundësojë edhe verifikimin nëse pagesat janë kryer në përputhje me ligjin, tarifat dhe kompleksitetin e rasteve.

    Çfarë mbulon financimi nga shteti?

    Baza ligjore për financimin e mbrojtjes u krijua në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës, krahas Ligjit për Dhomat e Specializuara, miratoi edhe Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

    Ligji parashikon mbështetje financiare për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes, si dhe forma të tjera ndihme të përcaktuara me ligj dhe akte nënligjore.

    Ministria e Drejtësisë thotë se shpenzimet për mbrojtjen realizohen në bazë të Udhëzimit Administrativ MD 08/2022 për mbrojtjen juridike të personave potencialisht të akuzuar, i cili është ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2024.

    Shpenzimet për vizitat e familjarëve mbulohen sipas një udhëzimi tjetër administrativ, të miratuar në vitin 2020 dhe të ndryshuar në vitin 2022.

    Sipas rregullave në fuqi, një person i akuzuar mund të vizitohet me mbështetje financiare nga deri në 12 anëtarë të familjes së ngushtë brenda një viti dhe jo më shumë se tre familjarë për një vizitë.

    Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 në bazë të ligjeve të Kosovës, ndërsa selinë e kanë në Hagë. Ato përbëhen nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë dhe trajtojnë pretendime për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, të lidhura me ish-pjesëtarë të UÇK-së.

    Çfarë ndodh me shpenzimet nëse ka pafajësi?

    Legjislacioni i Kosovës parashikon edhe mundësinë e kompensimit për personat e akuzuar para Dhomave të Specializuara, nëse ata shpallen përfundimisht të pafajshëm.

    Ligji dhe një udhëzim administrativ i Ministrisë së Drejtësisë parashikojnë kompensim për periudhën e privimit nga liria, dëmin material ose fitimin e humbur, si dhe dëmin jomaterial ose moral.

    Udhëzimi nuk përcakton një shumë fikse për çdo ditë të kaluar në paraburgim. Sipas Miftarajt, shuma e kompensimit varet nga mënyra e trajtimit të kërkesës dhe rrethanat konkrete të secilit rast.

    “Sipas rregulloreve të brendshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, referenca administrative për një ditë privim nga liria në mënyrë të kundërligjshme është deri në 25 euro për ditë. Ndërsa praktika gjyqësore, në rastet kur palët e kanë dërguar rastin e tyre deri në gjykatë, ka shkuar nga 30 deri në 60 euro dita, varësisht nga rrethanat e rastit”, shpjegon Miftaraj.

    Me aktgjykimin e pritshëm më 16 shtator, procesi ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së mund të hyjë në një fazë të re. Pavarësisht vendimit, të dyja palët do të kenë mundësi të apelojnë, ndërsa ligji parashikon vazhdimin e mbështetjes financiare gjatë procedurave të mëtejshme gjyqësore.

    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    NATO mbledh Këshillin e Atlantikut të Veriut për Kosovën: KFOR-i gati për çdo skenar

    September 15, 2026

    Të shtëna me armë në Stamboll, 3 të vrarë dhe një i plagosur, arrestohet një i dyshuar

    September 15, 2026

    Sa i kushtoi Kosovës mbrojtja e të akuzuarve në Hagë? Mbi 40.6 milionë euro të paguara

    September 15, 2026

    Italia zgjat kontrollet kufitare me Spanjën, Madridi: “Absurde dhe e panevojshme”

    September 15, 2026
    Mos e humb
    Fokus September 15, 2026

    Kompania e krijuar tri ditë pas hapjes së thirrjes për grantet e startupeve fitoi 6.1 milionë lekë në fazën e rezervuar për biznese të paktën 1-vjeçare

    Pas shpalljes së listës së fituesve të “Grant 2026” kanë nisur të dalin rastet ku…

    Skema sesi IUTE zbras fitimin nga Shqipëria, që ju merr konsumatorëve me interesa mbi 30%!

    Skandal me sallamin në dyqanet Conad, thirrje konsumatorëve ta kthejnë mbrapsht

    6 milionë euro të Startup Albania: Përfituesit, qokat dhe “problematikët”

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Universi ka një surprizë për këto 3 shenja më 14 shtator

    Një ditë me surpriza në dashuri: Horoskopi për të gjitha shenjat

    Pak dramë, shumë ndjenja: Horoskopi i dashurisë për këtë javë

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.