Këshilli i Atlantikut të Veriut është mbledhur sot, më 15 shtator 2026, në formatin e KFOR-it, së bashku me vendet partnere që kontribuojnë me trupa në mision, për të shqyrtuar situatën e sigurisë në Kosovë.
Në fokus të takimit ishte vlerësimi i zhvillimeve të fundit në terren dhe angazhimi i KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Në takim raportoi komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash, i cili paraqiti përditësimin e fundit mbi situatën e sigurisë dhe veprimtarinë e forcave paqeruajtëse.
Ulutash theksoi angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për përmbushjen e mandatit të tij, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it, i cili po zbatohet në kushtet e përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në terren.
NATO sqaroi se ky proces synon përshtatjen e pranisë së misionit me nevojat aktuale të sigurisë, ndërsa theksoi se ndryshimet nuk janë të pakthyeshme.
“Procesi i optimizimit bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë”, deklaroi Aleanca.
NATO konfirmoi gjithashtu se KFOR-i do të vijojë të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme njerëzore, ushtarake dhe organizative për të përmbushur mandatin e tij dhe për t’iu përgjigjur çdo skenari të mundshëm të sigurisë.
Në përfundim të takimit, Aleanca rikonfirmoi rëndësinë strategjike që i kushton Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetjen për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përkushtimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal është i palëkundur. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet korniza për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në deklaratën e Aleancës.
Takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut vjen gjithashtu në prag të një ndryshimi në drejtimin e KFOR-it. Gjeneralmajor Ozkan Ulutash pritet të përmbyllë mandatin e tij të dytë në mesin e tetorit, kur drejtimin e misionit do t’ia dorëzojë gjeneralmajorit italian Roberto Vergori.

