Avokati Tomë Gashi ka folur për mundësinë e lirimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rast se Gjykata Speciale në Hagë shpall një aktgjykim lirues ndaj tyre.
Në një prononcim Gashi tha se, sipas vlerësimit të tij, nëse vendimi do të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së, paraburgimi i tyre do të ndërpritej menjëherë, ndërsa më pas do të mbeteshin vetëm procedurat teknike për kthimin e tyre në Kosovë.
“Në momentin që shpallet aktgjykimi lirues, me vendim të njëjtë ndërpritet paraburgimi dhe pastaj janë çështje teknike të organizimit”, deklaroi Gashi.
Avokati u shpreh optimist se kthimi i tyre në Prishtinë mund të organizohej brenda së njëjtës ditë, duke qenë se shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet gjatë orëve të paradites.
“Meqenëse aktgjykimi do të shpallet paradite, që i bie brenda ditës aranzhohen fluturimet dhe sillen në Prishtinë”, tha ai.
Gashi parashikoi gjithashtu se një rikthim i ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë, në rast të një vendimi lirues, do të shoqërohej me një pritje të madhe nga qytetarët.
“Ne nuk po themi që aktgjykimi duhet të jetë lirues vetëm që ne jemi shqiptarë, por e drejta ndërkombëtare është në anën tonë”, u shpreh avokati.
Më herët, Gashi kishte deklaruar se pret një aktgjykim lirues për ish-krerët e UÇK-së, duke bërë thirrje që Gjykata Speciale të vlerësojë provat në mënyrë të pavarur dhe të mos ndikohet nga dëshmitë apo materialet e ardhura nga Serbia.

