E martë, 15 Shtator 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Në pritje të vendimit për ish krerët e UÇK-së, policia holandeze shton masat para Gjykatës Speciale: Largohuni nga ndërtesa!

Ilustrim · Vizion Plus

Policia holandeze ka shtuar masat e sigurisë pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale në Hagë, pak orë para shpalljes së vendimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Forca të policisë holandeze ishin të stacionuara përpara ndërtesës së Gjykatës Speciale, ndërsa u kërkuan qytetarëve shqiptarë që ndodheshin në atë zonë të largoheshin.

Një prej zyrtarëve policorë deklaroi se kishte marrë urdhër nga komandanti i tij që askush të mos qëndronte për më shumë se dy minuta përpara ndërtesës së gjykatës.

“Nëse qëndroni këtu për dy minuta është në rregull, por nëse jo, atëherë duhet të lëvizni. Nuk lejohet të qëndroni përpara Tribunalit”, u shpreh polici holandez.

Ai u tha qytetarëve se, për informacione të mëtejshme, mund të kontaktonin zëdhënësin e policisë, ndërsa i orientoi drejt Manifield, ku pritet të zhvillohet një demonstratë.

Vendimi pritet të shpallet nesër, në orën 10:00, kur trupi gjykues do të japë verdiktin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me akuza për krime të pretenduara të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Shpallja e vendimit pritet të shoqërohet me vëmendje të lartë në Kosovë dhe në mesin e komunitetit shqiptar në Hagë.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.