Lionel Messi pritet të rikthehet edhe një herë në fushë me fanellën e Argjentinës, në atë që mund të jetë paraqitja e tij e fundit me kombëtaren dhe një lamtumirë e denjë për një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti.
Sipas raportimeve të fundit nga ESPN Argentina dhe gazetari Federico Bueno, Federata Argjentinase e Futbollit po shqyrton mundësinë e organizimit të një grumbullimi special për kapitenin e “Albicelestes”, me synimin që Messi të ketë mundësinë të përshëndesë për herë të fundit tifozët argjentinas.
Edhe pse 39-vjeçari ka lënë të kuptohet se aventura e tij me kombëtaren po i afrohet fundit, ideja e Federatës është që epoka e tij të mos mbyllet thjesht me një njoftim zyrtar. Në vend të kësaj, synohet një mbrëmje e veçantë në stadium, ku Messi të ketë mundësinë të veshë edhe një herë fanellën bardhekaltër dhe të përshëndesë tifozët.
Me Argjentinën, Messi ka shkruar një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së futbollit. Ai udhëhoqi kombëtaren drejt triumfit në Kupën e Botës “Katar 2022”, ndërsa ka fituar gjithashtu dy herë Copa América dhe medaljen e artë olimpike.
Pas një rrugëtimi të gjatë me “Albicelestet”, Federata Argjentinase dëshiron që lamtumira e kapitenit të jetë në përputhje me përmasat e karrierës së tij. Një ndeshje e fundit do t’i jepte Messit mundësinë të përshëndeste në fushë tifozët që e kanë mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit të tij me kombëtaren.
Nëse plani do të realizohet, ajo ndeshje do të shënonte ndarjen përfundimtare të Lionel Messit nga Argjentina dhe mbylljen e një epoke që tashmë është pjesë e historisë së futbollit botëror.

