Në prag të shpalljes së vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur pritshmërinë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të shpallen të pafajshëm.
Berisha thotë se gjatë procesit gjyqësor, sipas tij, nuk është paraqitur ndonjë provë që të mbështesë akuzat ndaj tyre dhe i cilëson katër ish-drejtuesit e UÇK-së si figura të rëndësishme të çlirimit të Kosovës.
Kreu i PD-së thekson se, pavarësisht rezultatit, vendimi i gjykatës duhet respektuar. Në të njëjtën kohë, ai kundërshton çdo kërcënim ndaj Kosovës, rendit dhe sigurisë së saj që mund të lidhet me vendimin e Hagës, duke nënvizuar se Kosova nuk duhet të mbajë pasoja për një vendim gjyqësor.
Reagimi i plotë:
Nesër është një ditë e veçantë! Nesër në Hagë, gjykata, pas një procesi të zgjatur gjashtëvjeçar, shpall vendimin e marrë kohë më parë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës. Të gjithë ata që me interes të veçantë kanë ndjekur këtë proces, nuk kanë dëgjuar apo lexuar një provë të vetme që mbështet akuzat për të cilat ata u arrestuan.
Ndaj, për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim, pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre. Dhe urojmë që ata të kthehen të pafajshëm siç janë, kryelartë, heroj të çlirimit të Kosovës.
Por kërcënimet që i bëhen Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi ndryshe nga Gjykata e Hagës, janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme. Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë!













