Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me të cilët u takua të martën.
Në takim morën pjesë përfaqësues të PVD-së, APN-së, LPD-së, LR-së, AL-së, PD-së, PDSH-së dhe UDSH-së, si dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, dhe Arben Ferati nga Medvegja.
Kurti ka thënë se takimi ishte mundësi për të dëgjuar qëndrimet e tyre dhe për të diskutuar sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë, duke vënë theks të veçantë te bashkërendimi politik dhe forcimi i përfaqësimit të tyre, veçanërisht atij parlamentar.
“Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për bashkëpunim e përgjegjësi të përbashkët. Dallimet partiake janë pjesë e demokracisë, por interesi i qytetarëve duhet të jetë pikëtakimi i angazhimit të të gjithëve”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit të Kryeministrisë.
Ai theksoi se mbështetja për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbetet zotim i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës.
-
Kurti: Shqiptarët në Luginë po përballen me shkelje të të drejtave të njeriut
-
Qeveria kërkon forcimin e bashkëpunimit me komunat për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve
-
Kosova i kërkon BE-së e SHBA-së ndihmë për shqiptarët në Luginë
-
Kurti mirëpret qëndrimin e Abdixhikut, fton PDK-në e Aleancën për president konsensual
-
Kurti: Dëshirojmë të merremi vesh për një president konsensual