Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përpara vendimit që pritet të shpallet nesër në Hagë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës, pas një procesi gjyqësor 6-vjeçar.
Në reagimin e tij, kryedemokrati Berisha shprehet se gjatë procesit nuk është paraqitur, asnjë provë që mbështet akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, kreut i PD-së Sali Berisha uron që ish-udhëheqësit e Kosovës të kthehen në vend siç i konsideron ai, ‘të pafajshëm, kryelartë, heronj të çlirimit të Kosovës’.
Reagimi i kryetarit të PD, Sali Berisha
Nesër është një ditë e veçantë!
Nesër në Hagë, gjykata, pas një procesi të zgjatur gjashtëvjeçar, shpall vendimin e marrë kohë më parë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës.
Të gjithë ata që me interes të veçantë kanë ndjekur këtë proces, nuk kanë dëgjuar apo lexuar një provë të vetme që mbështet akuzat për të cilat ata u arrestuan.
Ndaj, për çdo shqiptar, për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës mund të ketë vetëm një vendim: pafajësinë dhe vetëm pafajësinë e tyre. Dhe urojmë që ata të kthehen të pafajshëm siç janë, kryelartë, heronj të çlirimit të Kosovës.
Por kërcënimet që i bëhen Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi ndryshe nga Gjykata e Hagës, janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme. Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë!
© SYRI.net