Promovohet novela e Fate Velajt në Pogradec

16 Shtator 2026, 17:11Kulturë TEMA
Promovohet novela e Fate Velajt në Pogradec

Autori Fate Velaj ka promovuar në Pogradec, novelën Ditëlindja e cila sjell në qendër kujtesën, marrëdhëniet njerëzore, miqësinë dhe udhëtimin e personazheve nëpër kohë dhe hapësira.

Një veçori e rëndësishme e novelës është prania e Pogradecit dhe e personazheve pogradecarë, duke e bërë qytetin pjesë të botës së rrëfimit dhe duke krijuar një lidhje të veçantë me lexuesin vendas. Ndërsa një fokus të veçantë autori në libër i jep marrëdhënies bashkëshortore dhe vetmisë që vjen pas saj.

“Shumica është fiksion, është një vepër fiksionale, por prek një nga momentet kryesore të jetës së njeriut. Ne, meshkujt, duhet të jemi mirënjohës ndaj këtyre zonjave këtu. Pa to, ne mbarojmë. Edhe këtu tregohet ai moment i jetës kur ne mbetemi vetëm dhe drama që përjeton mashkulli pas humbjes së gruas”, u shpreh autori Fate Velaj.

Përmes një rrëfimi të ndërthurur me kujtime, takime dhe përjetime, Fate Velaj ndërton një histori ku e shkuara dhe e tashmja takohen, ndërsa njerëzit dhe vendet marrin një rol të rëndësishëm në formësimin e kujtesës.

“Po, kur një njeri ka një pasuri të madhe jetësore që e transmeton, kjo është një nga gjërat më të bukura të jetës. Na pasuron edhe ne”, tha publicistja Natasha Lako.

“Fatja fotografon realitetin dhe ka një kujtesë të jashtëzakonshme. Na i tregon gjërat tamam, tamam, tamam, dhe ne hyjmë brenda. Na merr për dore, na fut brenda dhe ne shëtisim nëpër mjediset ku Fatja ka kaluar dhe na tregon”, tha aktori Mevlan Shanaj.

Novela “Ditëlindja” pas 5 romaneve të Fate Velaj, vjen edhe si një reflektim mbi kohën, kujtesën dhe gjurmët që njerëzit lënë në jetën e njëri-tjetrit sidomos atë bashkëshortore. A.K./TemA

Lini një Përgjigje