E PLOTË! Haga jep vendimin, shpall fajtorë ish-krerët e UÇK-së, dënohen me 81 vite burg në total

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Të katër janë shpallur fajtorë për një sërë akuzash për krime lufte dhe janë dënuar në total me 81 vite burgim.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burg. Sipas vendimit të trupit gjykues, ai është shpallur fajtor për përgjegjësi penale në lidhje me vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Jakup Krasniqi është dënuar gjithashtu me 25 vite burg. Gjykata e shpalli fajtor për disa akuza për krime lufte, përfshirë arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Ndërkohë, ai është shpallur i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Kadri Veseli është dënuar me 18 vite burg. Gjykata e shpalli fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, duke llogaritur në dënim edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Ndërsa Rexhep Selimi është dënuar me 13 vite burg. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Me këto vendime, dënimi i katër ish-krerëve të UÇK-së arrin në 81 vite burgim në total.
Rexhep Selimi dënohet me 13 vite burg
Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Krerët e UÇK-së dënohen nga Haga, reagon Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dënimit të krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetin social, Rama ka postuar një foto me sfond blu, me një rreth me tela me gjëmba ku shkruan “Marre”.
Jakup Krasniqi dënohet me 25 vite burg
Dhomat e Specializuara në Hagë e kanë shpallur ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, fajtor për disa akuza duke e dënuar me 25 vjet burgim.
Kadri Veseli dënohet me 18 vjet burgim
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
FLET HAGA: Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burg
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktgjykimi dënues u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith. Vendimi mund të ankimohet nga pala mbrojtëse në instancat përkatëse.
“Thaçi kishte dijeni për krimet”, Trupi Gjykues: Veseli anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, presin sot aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.
Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
“Vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal”, Trupi Gjykues: 96 persona u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka konstatuar se, gjatë periudhës nga prilli i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Sipas gjetjeve të gjykatës, këto raste janë evidentuar në 12 komuna të Kosovës dhe në një zonë të Shqipërisë. Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme, të cilën Prokuroria e ka ngritur si krim lufte.
Nëna e Thaçit nuk e di për vendimin e Hagës, kushëriri: Do t’ia tregojmë vetëm nëse lirohet

Teksa në Hagë po zhvillohet seanca ku pritet të shpallet vendimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po e ndjekin me ankth procesin.
Nëna e Hashim Thaçit, Hyra Thaçi, nuk është në dijeni se sot pritet të shpallet vendimi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Specialja: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur të provojë kryerjen e krimit të luftës të arrestimit të paligjshëm ndaj të paktën 385 personave.
Specialja: Bien akuzat për krime kundër njerëzimit
Gjykata Speciale në Hagë ka konstatuar se nuk janë kryer krime lufte pas datës 20 qershor 1999.
Si rrjedhojë, akuza për krime kundër njerëzimit është rrëzuar për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vijon seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Charles Smith kryeson trupin gjykues

Trupi gjykues që po jep vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kryesohet nga gjykatësi Charles Smith.
Ai po lexon përmbledhjen e aktgjykimit në seancën publike në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjykimi në këtë rast nisi më 3 prill 2023 dhe, pas më shumë se tre vjetësh, ka mbërritur sot në fazën e shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë.




