
Vite pas pavarësisë së Kosovës, katër prej figurave më të rëndësishme të luftës për pavarësi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte gjatë kohës që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare.
Prej 6 vitesh ata mbahen në paraburgimin e Hagës në pritje të gjykimit që bëhet sot në Dhomat e Specializuara të gjykatës. Mirëpo para se të arrestoheshin secili prej tyre ka patur një rol të ndryshëm politik pasi që prej përfundimit të luftës, ata u shndërruan në figura kryesore të politikës së vendit.
Hashim Thaçi i cili ishte një prej drejtuesve politikë të UÇK-së, themeloi dhe drejtoi Partinë Demokratike të Kosovës, forcë që doli nga strukturat e Ushtrisë Çlirimtare. Pas shpalljes së pavarësisë, Thaçi u bë kryeministër i vendit dhe pati rol kryesor në proceset politike e diplomatike.
Në 2016-ën u zgjodh president i Kosovës dhe në vitin 2020 dha dorëheqjen pas konfirmimit të aktauzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas 6 vitesh në Hagë, sot pret i pari vendimin.
Kadri Veseli, ishte njeriu i lidhur me strukturat e inteligjencës së UÇK-së dhe pjesë e drejtuesve. Më pas me angazhimin e tij në politikë, u zgjodh deputet dhe kryetar i Kuvenditt ë Kosovës duke u shndërruar në një prej figurave kryesore të vendit. Në nëntor të vitit 2020 ai dha dorëheqje nga pozita e kreut të PDK për t’u nisur në Hagë ku mbahet në paraburgim së bashku me 3 liderët e tjerë.
Rexhep Selimi është një prej emrave që lidhen drejtpërdrejt me strukturat ushtarake të UÇK-së. Ai u bë më pas deputet i Kuvendit të Kosovës duke qenë për vite me radhë të ishte pjesë aktive e jetes politike të vendit. Në 2020-ën u dorëhoq nga posti i deputetit të Vetëvendosjes për t’u paraqitur në Hagë.
Jakup Krasniqi është figura e katërt e këtij procesi dhe një prej emrave të njohur të historisë politike të Kosovës. Gjatë luftës, Krasniqi shërbeu si zëdhënës i UÇK-së. Në këtë rol, ai ishte një prej zërave publikë të organizatës dhe përfaqësonte UÇK-në në komunikimin me mediat dhe opinionin publik. Pas luftës, Krasniqi u përfshi në jetën institucionale të Kosovës.
Ai ishte deputet dhe për një periudhë të gjatë mbajti postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Për një periudhë të shkurtër, ai shërbeu edhe si ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës. Krasniqi ishte gjithashtu një prej figurave të rëndësishme të Partisë Demokratike të Kosovës, përpara se të largohej nga kjo forcë politike dhe të angazhohej në një tjetër projekt politik. Në 2020-ën u arrestua dhe u dërgua në Hagë. Versus.al

