Kryetari i trupit gjykues në Gjykatën Speciale, Charles Smith III, në fjalën hyrëse para vendimit deklaroi se çështja s’ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetëm me akuzat që rëndojnë mbi të akuzuarit.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve. Çështja ka të bëjë vetëm me faktet dhe rrethanat që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore.
Kjo çështje nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur.
Nuk ka të bëjë me vlerësimin e veprimeve të njërës palë kundër palës tjetër.
Nuk ka të bëjë me krimet që padyshim forcat dhe paramilitarët serbë kryen kundër shqiptarëve të Kosovës.
Kjo çështje ka të bëjë vetëm me atë se a janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe a mund të mbahen përgjegjës të akuzuarit për ato”, tha ai.
Gjykatësi Charles Smith tha se gjykimi u zhvillua në një atmosferë frikësimi të dëshmitarëve.
Sipas tij, disa dëshmitarë u tërhoqën ose ndryshuan dëshmitë e tyre për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre dhe të familjarëve.
Megjithatë, Smith tha se shumë dëshmitarë dhanë dëshmitë e tyre “me guxim dhe vendosmëri”.
Smith shtoi më tej:
UÇK- ja ishte organizatë politiko ushtarake. Në synimet e UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës. Si strategji për arritjen e këtij qëllimi UÇK-ja zgjodhi të përdori forcën ushtarake dhe dhunën ndaj atyre që e kundërshtonin.
Më pas ai paraqiti të kaluarën dhe pozitat që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbanin gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Kjo pjesë e përmbledhjes trajton rolet dhe funksionet e tyre brenda UÇK-së gjatë periudhës që mbulohet nga aktakuza.
© SYRI.net