Qofte me speca dhe salcë domate, nga Shefja e Kuzhinës Albana Mançja
Nëse po kërkoni një recetë të thjeshtë, të shijshme dhe plot aromë, qoftet me speca dhe salcë domateje janë zgjedhja perfekte. Një kombinim i mishit të grirë me erëza aromatike, speca të freskët dhe salcë domateje, që sjell në tavolinë një pjatë të ngrohtë dhe plot shije, sipas recetës së shefes së kuzhinës Albana Mançja.
Përbërësit:
- 2 feta bukë të bardhë
- 1 qepë
- Majdanoz i freskët
- ½ kg mish viçi i grirë
- 1 vezë
- Vaj ulliri
- Piper i zi
- 1 lugë e vogël uthull
- Disa fletë nenexhik
- Rigon
- Kripë
- 2 speca jeshilë
- 2 speca të kuq
- 300 ml salcë domateje
- Pak ujë
Përgatitja:
- Përgatitja e qofteve
Lagim bukën në ujë dhe e shtrydhim mirë.
Në një blender grijmë qepën dhe majdanozin. I shtojmë te mishi i grirë, së bashku me bukën e shtrydhur dhe vezën.
Shtojmë vaj ulliri, piper të zi, uthull, uzo, nenexhik, rigon dhe kripë.
E punojmë mirë masën derisa të bëhet e butë dhe homogjene. E lëmë të pushojë për rreth 30 minuta.
Formojmë qoftet dhe i skuqim lehtë në pak vaj ulliri, derisa të marrin ngjyrë.
- Përgatitja e salcës
Presim specat në shirita të trashë dhe i skuqim derisa të marrin ngjyrë.
Shtojmë salcën e domates, kripë, piper dhe pak ujë. I lëmë të ziejnë për rreth 10 minuta.
Shtojmë qoftet e skuqura në salcën me speca dhe i lëmë të ziejnë së bashku derisa salca të lidhet.




