Një denoncim për mospagesë të pagave dhe sigurimeve shoqërore, si dhe për keqtrajtim në vendin e punës, ka vënë në lëvizje strukturat tatimore, të cilat kanë kryer një kontroll në një subjekt të sektorit të hotelerisë dhe bar-restoranteve në Golem.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, verifikimi në terren është kryer nga Task Forca e Terrenit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Durrës.
Gjatë kontrollit, strukturat inspektuese kanë konstatuar shkelje të legjislacionit tatimor, konkretisht moslëshim të faturës tatimore dhe punonjës të padeklaruar.
Kontrolli është ndërmarrë pas një denoncimi të bërë nga një qytetar, i cili kishte ngritur shqetësime për mosmarrjen e pagave dhe sigurimeve shoqërore, si dhe për trajtimin në vendin e punës.
Njoftimi:
Nga denoncimi i qytetarit për mos pagesë të pagave dhe sigurimeve shoqërore, si dhe keqtrajtimi në vendin e punës, te verifikimi në terren.
Një denoncim për një subjekt në fushën e hotelerisë dhe bar-restorantit në Golem çoi në kontrollin e aktivitetit. Nga verifikimi i kryer nga Task Forca e Terrenit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Durrës, u konstatuan moslëshim i faturës tatimore si dhe punonjës të padeklaruar.
Administrata Tatimore vijon kontrollet e orientuara nga risku dhe trajtimin me prioritet të informacioneve të denoncuara nga qytetarët, në funksion të zbatimit të ligjit dhe garantimit të konkurrencës së ndershme.












