“Thaçi kishte dijeni për krimet”, Trupi Gjykues: Veseli anëtar kyç në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, Selimi mori pjesë në kryerjen e krimeve

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, presin sot aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.
Të katërt i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Trupi gjykues: Thaçi dha kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal
Gjatë leximit të aktgjykimit në Hagë, trupi gjykues ka vlerësuar se Hashim Thaçi ka dhënë një kontribut thelbësor në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe e ka cilësuar atë si një anëtar kyç në realizimin e tij.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Thaçi, së bashku me të akuzuarit e tjerë, emëroi persona besnikë në pozita të ndryshme me qëllim ruajtjen e kontrollit brenda UÇK-së gjatë periudhës së përfshirë në aktakuzë.
Gjykata tha se një pjesë e këtyre personave kanë kryer krime ose kanë qenë në dijeni për kryerjen e tyre.
Gjykata: Thaçi ishte në dijeni për krimet
Trupi gjykues ka konstatuar gjithashtu se Thaçi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh të kryera ndaj personave që konsideroheshin kundërshtarë.
Sipas gjykatësit Smith, pavarësisht kësaj dijenieje, Thaçi nuk ndërmori masa për parandalimin e krimeve apo ndëshkimin e autorëve. Përkundrazi, sipas konstatimeve të trupit gjykues, ai mori pjesë personalisht në disa prej tyre.
Smith deklaroi gjithashtu se Thaçi ka përhapur ose ka ndihmuar në përhapjen e informacioneve të rreme lidhur me krimet, duke kontribuar, sipas gjykatës, në një politikë të pandëshkueshmërisë.
Veseli, sipas gjykatës, ishte anëtar kyç në realizimin e qëllimit të përbashkët
Sa i përket Kadri Veselit, trupi gjykues ka konstatuar se edhe ai ka dhënë kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ka pasur rol kyç në realizimin e tij.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli ka vepruar së bashku me të akuzuarit e tjerë në përmbushjen e këtij qëllimi.
Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Veseli ka marrë pjesë në kryerjen e krimeve dhe ka inkurajuar kryerjen e tyre.
Selimi luajti rol në krijimin e zonave operative
Për Rexhep Selimin, trupi gjykues ka vlerësuar se ai ka dhënë kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.
Sipas Smith, Selimi, në cilësinë e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e zonave operative dhe i ka inspektuar ato në mënyrë të rregullt.
Gjykatësi tha se Selimi merrte gjithashtu raporte të shpeshta lidhur me persona të dyshuar ose të konsideruar si kundërshtarë.
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Selimi ishte në dijeni se njësi të UÇK-së po shënjestronin persona të caktuar.
Gjykata: Selimi inkurajoi dhe mori pjesë në krime
Trupi gjykues ka konstatuar se Rexhep Selimi ka inkurajuar dhe ka marrë pjesë në kryerjen e krimeve në forma të ndryshme.
Gjykatësi Charles Smith përmendi ndër të tjera rastin e Qirezit, duke thënë se Selimi kishte marrë pjesë në arrestimin e 13 personave.
Leximi i aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po vijon në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.




