Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Sipas aktgjykimit, Thaçi është shpallur fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, si krim lufte, të kryer kundër së paku 385 personave.
Ai është shpallur gjithashtu fajtor për trajtim mizor ndaj së paku 49 personave, për torturë ndaj së paku 303 personave, si dhe për vrasje të paligjshme të së paku 96 personave.
Për këto vepra, trupi gjykues ka caktuar dënime të veçanta:
15 vjet burgim për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, katër vjet për trajtimin mizor, 20 vjet për torturën dhe 23 vjet për vrasjen e paligjshme.
Pas shqiptimit të dënimeve individuale, trupi gjykues ka vendosur një dënim të njësuar prej 25 vjetësh burgim. Në këtë dënim llogaritet edhe koha që Thaçi ka kaluar në paraburgim.
Në të njëjtën kohë, Thaçi është shpallur i pafajshëm për një numër incidentesh të tjera të krimeve të luftës, pasi trupi gjykues ka vlerësuar se ato nuk janë vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm, se disa akuza përfshiheshin në akuza më konkrete ose se incidentet nuk ishin në juridiksionin e gjykatës.
© SYRI.net