Ramush Haradinaj ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar vendimin si të papranueshëm dhe të padrejtë.
Haradinaj ka deklaruar se lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe se beteja për drejtësi duhet të vazhdojë edhe në shkallët e tjera të gjykimit.
“I papranueshëm, i padrejtë. UÇK bëri luftë të drejtë çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë e të fitohet në shkallën e dytë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se vendimi nuk duhet të shihet si përfaqësues i qëndrimit të tij apo, sipas tij, të popullit të Kosovës.
“Jo në emrin tim, jo në emër të popullit të Kosovës vendim dënues për UÇK-në”, tha ai.
Haradinaj ka bërë thirrje gjithashtu për ruajtjen e Kosovës dhe për respektimin e sakrificës së njerëzve që dhanë jetën gjatë luftës.
“Kosovën ta ruajmë, për të cilën dhanë jetën njerëzit më të çmuar të vendit tonë.”
Haradinaj ka bërë thirje për të ruajtur qetësinë. Reagimi i Haradinajt vjen në një ditë të ngarkuar emocionalisht në Kosovë, ku momentalisht kanë nisur protestat qytetare të revoltuar nga vendimi i Hagës.












