Pisa: mësuesi, nxënësi dhe inteligjenca artificiale

16 Shtator 2026, 12:55Blog TEMA
Pisa: mësuesi, nxënësi dhe inteligjenca artificiale

Nga Prof. Asc. Dr. Pëllumb Karameta

Sa herë flasim për PISA-n, vëmendja shkon pothuajse vetvetiu te rezultatet, sa pikë mori Shqipëria, ku u rendit, sa larg është nga mesatarja ndërkombëtare. Janë të dhëna të rëndësishme. Por përvoja ime gjatë mbështetjes për PISA 2025 më shtyu më tej tyre. Të shihja mësuesin që përgatit nxënësin, nxënësin që përballet me një mënyrë të re vlerësimi dhe teknologjinë që po ndryshon mjedisin ku zhvillohet të nxënit.

Bashkëpunova me mësues dhe nxënës në shkolla të konteksteve të ndryshme: në gjimnaze si “Sami Frashëri”, “Qemal Stafa” dhe “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, “Raqi Qirinxhi” në Korçë dhe “Janaq Kilica” në Fier, por edhe në shkolla të qyteteve më të vogla, si Prrenjasi dhe Gramshi. Puna lidhej, ndër të tjera, me njohjen dhe ushtrimin e procedurave kompjuterike të nevojshme për pjesëmarrjen e nxënësve në vlerësimin PISA. Pikërisht aty u shfaqën disa dukuri që vlejnë përtej një testimi të vetëm.

E para lidhej me mësuesin. Te një pjesë e mësuesve të matematikës dhe të shkencave, njohja e politikës së vlerësimit PISA, e elementeve dhe e kritereve mbi të cilat ajo mbështetet, ishte e kufizuar. Edhe zotërimi i disa procedurave teknologjike linte për të dëshiruar. Kjo bëhej veçanërisht e dukshme gjatë punës me kërkesat dhe procedurat që lidheshin me “Learning in the Digital World” (LDW) – “Të nxënit në botën digjitale”. Kjo nuk është arsye për t'ia faturuar problemin mësuesit. Përkundrazi, ajo ngre një pyetje për sistemin. Sa e kemi përgatitur mësuesin për kohën kur teknologjia nuk është sot e më tej vetëm mjet ndihmës, por pjesë e mjedisit ku nxënësi mëson?

LDW nuk vlerëson thjesht nëse nxënësi di të përdorë një kompjuter. PISA 2025 e konceptoi atë si aftësinë për t'u angazhuar në një proces ndëveprues dhe të vetërregulluar të ndërtimit të njohurive dhe të zgjidhjes së problemeve, duke përdorur mjete dhe praktika kompjuterike. Pra, sa dhe si nxënësi di të eksplorojë, të provojë, të përdorë informacionin dhe feedback-un, të monitorojë përparimin, të ndryshojë strategjinë dhe të ndërtojë një zgjidhje.

Dukuria e dytë lidhej me nxënësin. Nxënësit që nuk ishin familjarizuar më parë me procedurat kompjuterike të testimit, brenda një seance rreth dyorëshe arrinin të përvetësonin një pjesë të konsiderueshme të tyre. Këtë e vëzhgova në shkolla dhe qytete të ndryshme. Kontrasti ishte i dukshëm: mësuesi kishte përvojën profesionale dhe zotërimin e lëndës; nxënësi tregonte shpejtësi të madhe për t'u përshtatur me mjedisin teknologjik. Këto janë vëzhgime nga puna në terren, jo të dhëna të një studimi përfaqësues për të gjithë vendin. Por ato ngrenë një çështje që meriton vëmendje. Teknologjia po ndryshon jo vetëm mjetet e të nxënit, por edhe marrëdhënien ndërmjet mësuesit, nxënësit dhe dijes.

Dukuri e tretë, ndoshta më e rëndësishmja. Procedurën teknike mund ta mësosh shpejt. Por të përdorësh atë që ke nxënë kërkon kohë. Brenda dy orësh një nxënës mund të mësojë të lëvizë nëpër ekran, të përdorë komandat dhe të kuptojë funksionimin e një testi. Por brenda dy orësh nuk ndërtohet aftësitë për të interpretuar informacionin, për të zbuluar marrëdhënie, për të arsyetuar, për të zgjedhur një strategji, për të përdorur njohuritë në një situatë të re dhe për të argumentuar një përfundim. Këto nuk fitohen në prag të PISA-s. Ato ndërtohen gjatë viteve të nxënies.

Pikërisht këtu PISA fiton vlerë edhe përtej PISA-s. Ajo na rikthen te një pyetje që duhet t'ia bëjmë çdo teme, çdo ore mësimore dhe çdo vlerësimi. A po i krijojmë nxënësit mundësi për të nxënë dhe për t’i përdorur nxëniet në shkollë dhe në jetë?

Sot kjo pyetje është bërë edhe më e mprehtë, sepse në botën digjitale ka hyrë Inteligjenca Artificiale. Nëse kompjuteri kërkonte prej nxënësit të mësonte si të vepronte në një mjedis të ri, IA mund të hyjë shumë më thellë në vetë procesin e të menduarit. Ajo mund të shpjegojë, të krahasojë, të sugjerojë strategji, të ndërtojë argumente dhe të prodhojë zgjidhje brenda pak sekondash. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, por edhe një kufi që duhet dalluar me kujdes.

Prandaj nuk mjafton më të pyesim nëse mësuesi dhe nxënësi dinë ta përdorin teknologjinë. Duhet të pyesim: A di mësuesi ta përdorë IA-në për të projektuar mundësi për të nxënë dhe për ta përdorur të nxënit? A di nxënësi ta përdorë IA-në për të nxënë, për të arsyetuar dhe për të kontrolluar atë që ka nxënë? Dhe, mbi të gjitha, a dimë ta përdorim IA-në pa ia kaluar asaj përpjekjen mendore që duhet ta kryejë vetë nxënësi? Nëse IA interpreton, arsyeton dhe zgjidh sistematikisht në vend të nxënësit, mund të kemi një nxënës që përdor gjithnjë e më mirë teknologjinë, por gjithnjë e më pak mendimin e vet. Prandaj pyetja nuk është nëse duhet ta përdorim IA-në në arsim, por për çfarë dhe si.

Në Modelin që kemi zhvilluar dhe bërë publik së fundmi në rrjetet sociale, jemi përpjekur t'i japim kësaj pyetjeje një përgjigje didaktike. Modeli ofron algoritme që ndihmojnë mësuesin të organizojë planifikimin dhe vlerësimin e nxënies me mbështetjen e IA-së. Pikënisja nuk është IA. Pikënisja është përmbajtja mësimore dhe mundësitë që ajo mbart dhe i ofron nxënësit për ta përdorur atë që ka nxënë.

Prej këtej ndërtohet një rrugë e kontrollueshme: nga mundësitë te rezultatet; prej tyre te aktivitetet ku nxënësi përdor njohuritë dhe aftësitë e mwsuara;; dhe, më tej, te dëshmitë mbi të cilat vlerësohet. IA mund ta mbështesë mësuesin që të analizojë, të propozojë alternativa dhe të ndihmojë në projektimin e aktiviteteve e të situatave të vlerësimit. Por Modeli vendos dy kufij: mësuesi verifikon dhe vendos; nxënësi ndërton dhe përdor atë që ka nxënë.

Këtu mbyllet rrethi që nisi me PISA-n. Nuk vlen ta shndërrojmë shkollën në kurs përgatitor për PISA. Nëse gjatë mësimit nxënësi përballet vazhdimisht me mundësi për të njohur, për të arsyetuar dhe për ta përdorur atë që ka nxënë në situata jetësore, atëherë një pjesë e rëndësishme e asaj që kërkon PISA ndërtohet natyrshëm gjatë procesit të nxënies.

Përvoja e PISA 2025 më la me një bindje optimiste: nxënësit tanë mund të përshtaten shpejt me teknologjinë. Çështja është nëse shkolla do të ecë po aq shpejt në mënyrën se si organizon të nxënit. Sepse sfida e vërtetë nuk është që nxënësi të dijë të përdorë kompjuterin, as vetëm që të dijë të përdorë IA-në. Sfida është që, me ose pa teknologji, nxënësi të mësojë të mendojë, të nxërë dhe të përdorë cfarë ka nxënë – në shkollë dhe në jetë.

Lini një Përgjigje