Vendimi i Dhomave të Specializuara të Hagës për dënimin me 81 vite burg në total për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka nxitur reagime të forta dhe në Kosovë duket se ka nisur mobilizimi për mbajtjen e një qëndrimi unifikues mes partive politike.
Partia Demokratike e Kosovës, një parti politike e themeluar pas përfundimit të luftës nga figura politike të dala nga strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lëvizjes Popullore të Kosovës, ka njoftuar konferencë të jashtëzakonshme.
Sipas njoftimit të partisë, konferenca do të mbahet në selinë qendrore të PDK-së, duke filluar nga ora 14:30. PDK-ja është themeluar nga ish-presidenti i Kosovës dhe një nga ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi.
Po ashtu, edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë, ndaj i ka bërë thirrje popullit dhe partive të tjera politike, që të bashkohen.
"U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe të qëndrojmë bashkë për ta përballuar këtë periudhë të vështirë për Kosovën. Liria jonë ka kushtuar shumë. Shteti ynë është përgjegjësi e të gjithëve. Ta ruajmë Kosovën, unitetin qytetar dhe miqësitë që i qëndruan pranë në rrugën drejt lirisë e pavarësisë", shkroi ai.
Menjëherë pas dënimit me 81 vite burg për katërshen e UÇK-së, në Kosovë ka nisur mobilizimi dhe një ndër tezat kryesore, është bashkimi të gjithë faktorit politik në vend për të shkrirë Gjykatën e Hagës, sepse sipas tyre, me vendimin e sotëm ajo ka dalë nga shinat e objektit për të cilin u krijua.
Këtë e ka përsëritur menjëherë pas gjyqit në dyert e Hagës, edhe avokati i presidentit Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se Dhomat e Specializuara tentuan të rishkruanin historinë e popullit të Kosovës, ndaj duhet të shkrihen, kurse deklarata e gjyqtarit Smith se vendimi jepej "në emër të popullit të Kosovës", sipas avokatit ishte i turpshëm.
Edhe ish-presidentja Vjosa Osmani ka ndarë deklaratën e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre, sepse shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amanet i përbashkët.

