Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të Hagës ndaj katër drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë si “një ditë të rëndë për Kosovën dhe për çdo shqiptar”.
Tabaku thekson se UÇK-ja lindi, sipas saj, në kushtet e shtypjes dhe për mbrojtjen e jetës e lirisë, ndërsa shprehet se lufta çlirimtare nuk duhet të njolloset nga vendimi gjyqësor.
Reagimi:
Një ditë e rëndë për Kosovën dhe për çdo shqiptar.
Katër drejtues të UÇK-së, një shekull burg gjithsej. Për një popull që përgjatë një shekulli përjetoi përndjekje, dëbime dhe masakra, pesha e këtij vendimi shkon përtej sallës së gjyqit.
UÇK-ja lindi nga nevoja për t’i bërë ballë shtypjes dhe për të mbrojtur jetën e lirinë. Kjo e vërtetë nuk mund të fshihet dhe lufta çlirimtare nuk mund të njolloset.
Ky vendim duhet apeluar. Besimi te drejtësia përfshin edhe të drejtën për të kundërshtuar vendimet e saj dhe për të kërkuar që çdo provë e çdo argument i mbrojtjes të marrë përgjigje të plotë.
Sot ndaj dhimbjen e Kosovës dhe të familjeve të tyre. Liria e Kosovës ka kushtuar shumë. Historia e asaj sakrifice meriton të vërtetën dhe respektin që i takon.













