
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj 4 ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si ‘tërësisht të pamerituar’ dhe duke shprehur mbështetjen e tij për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Kosovës. Berisha tha se vendimi i gjykatës nuk arriti, sipas tij, të provonte akuza konkrete.
"Gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit’, deklaroi Berisha. Sipas lideri të demokratëve, ai vendim nuk mund të zbehë luftën e UÇK-së. ‘Asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut’, u shpreh kreu i PD-së.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha shprehu shpresën se Gjykata e Apelit do të ndryshojë qasjen dhe ‘do të bëjë drejtësi’. ‘Ndaj dhe le të shprehim ne shpresën, besimin se gjykata e apelit, se apeli do të bëjë drejtësi, do të shkëputet nga propaganda serbe’, deklaroi Berisha. Ai bëri gjithashtu thirrje për vetëpërmbajtje në Kosovë, duke theksuar se vendimi i gjykatës nuk duhet të çojë në përplasje apo destabilizim.
"Thirrja jonë është për vetëpërmbajtje dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që emocionet të ndikojnë në rendin, qetësinë, stabilitetin e Kosovës’, tha Berisha./Versus.al

