Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Ekonomi

Niveli i dytë më i ulët i të gjitha kohërave, rritja e normave të interesit dhe forcimi i Lekut “godasin” sërish bilancin e Bankës së Shqipërisë

Shkruar nga Newsbomb
Niveli i dytë më i ulët i të gjitha kohërave, rritja e
Banka e Shqiperise

Rritja e normave të interesit dhe forcimi i mëtejshëm i Lekut në kursin e këmbimit kanë përkeqësuar përsëri bilancin e Bankës së Shqipërisë në muajt e fundit. Sipas statistikave zyrtare, në fund të muajit gusht vlera e kapitalit të Bankës së Shqipërisë ishte negativ në vlerën e 25.4 miliardë lekëve.

Ky është niveli më i ulët në tre vitet e fundit dhe niveli i dytë më i ulët i të gjitha kohërave.

Që prej fillimit të vitit 2023, kur nisi rritja e shpejtë e normave të interesit pas shpërthimit të Luftës në Ukrainë, gjendja e kapitalit të Bankës së Shqipërisë ka qëndruar kryesisht në vlera negative. Veç efektit të rritjes së normave të interesit, një ndikim të fortë ka dhënë edhe zhvlerësimi i rezervës gjithnjë e më të madhe valutore të mbajtur nga Banka Qendrore.

Banka e Shqipërisë mban një rezervë të madhe në valutë të huaj, si mjet i domosdoshëm për të përballuar nevojat emergjente që mund të ketë ekonomia dhe sektori financiar.

Duke qenë se bilanci i Bankës së Shqipërisë raportohet në monedhën vendase, forcimi i vazhdueshëm i Lekut në kursin e këmbimit e ka ulur vlerën në monedhën vendase të rezervave të mbajtura në valutë të huaj.

Për vitin e kaluar, humbjet neto nga ndryshimet e kurseve të këmbimit kishin vlerën e 24.1 miliardë lekëve. Humbjet në këtë zë u rritën me 79% krahasuar me një vit më parë, raporton Monitor.al.

Duke parë tendencat e kursit të këmbimit gjatë këtij viti, gjasat janë që ky efekt negativ të thellohet. Euro ka arritur nivele të reja minimale historike, ndërsa ritmi i rënies së kursit është përshpejtuar krahasuar me vitin e kaluar.

Në mesin e muajit shtator, zhvlerësimi i Euros ndaj Lekut ka arritur pranë nivelit të 5.5% me bazë vjetore. Zhvlerësimi i Euros dhe i valutave të tjera të huaja reflektohet në zgjerimin e humbjeve nga ndryshimi i kursit.

Sipas të dhënave më të fundit, në korrik të këtij viti vlera e rezervës valutore arriti në gati 8.2 miliardë euro, në rritje vjetore me 18.6%.

Të dhënat e deritanishme zyrtare dhe ato të tërthorta tregojnë se Banka e Shqipërisë po vazhdon blerjet e valutës në sasi të mëdha edhe këtë vit. Për tremujorin e parë, ato kishin vlerën e 140 milionë eurove, 320% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, pas muajit maj, zgjerimi i shpejtë i bilancit të BSH mund të jetë një tregues i rritjes së ndjeshme të blerjeve të valutës.

Pavarësisht se gjendja e kapitalit ngelet negativ, Banka e Shqipërisë vlerëson se mbetet e mirëkapitalizuar në bazë të kapitalit të realizuar, edhe pse forcimi i monedhës Lek përkundrejt monedhave ku është investuar rezerva valutore, ka gërryer kapitalin e saj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet apo humbjet nga rivlerësimi janë të luhatshme dhe i nënshtrohen faktorëve ekonomikë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Bankës së Shqipërisë, që mund të kthehen me ndryshimin e kushteve ekonomike botërore.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese