Dy vëllezërit, Alban dhe Olsi Eftimi, janë paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ata janë thirrur për t’u marrë në pyetje në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, veçanërisht lidhur me vilën luksoze në Palasë, e cila është zbuluar gjatë hetimeve të SPAK.
Vëllezërit Eftimi, të njohur në fushën e arkitekturës dhe projektimit, janë përfshirë në dosje për shkak të rolit të tyre në projektimin e vilës dhe komunikimeve të administruara nga hetuesit.
Në dosjen e SPAK janë bërë publike edhe komunikime elektronike mes Alban Eftimit dhe Ballukut, të zhvilluara në vitin 2020, kur vila ishte ende në ndërtim. Në një prej e-maileve, të datës 14 shtator 2020, Eftimi i dërgon Ballukut detaje mbi ndërhyrjet në vilë, duke përmendur pishinën “infinity”, vaskat e hidromasazhit, suitat dhe materialet e përdorura në ambientet e jashtme.
Në një tjetër komunikim të administruar në dosje, bëhet fjalë për projektin e quajtur “Vilat binjake Palasë”, ndërsa dokumente të tjera tregojnë komunikime të kompanisë së Eftimëve lidhur me ndryshime në projektin e vilës.
SPAK po heton rrethanat e pronësisë dhe financimit të vilës në Palasë, si dhe lidhjet e saj me personat dhe kompanitë e përfshira në dosjen ndaj Ballukut.













