AKTUALITET /

Dënimet në Hagë, reagon kryediplomati britanik: Krenarë me rolin tonë në Kosovë vitin 1999. Vendimi i sotëm nuk është mbi shtetësinë

Ministri britanik e cilësoi Mbretërinë e Bashkuar si një mik dhe partner të afërt të Kosovës, duke riafirmuar mbështetjen për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe për paqen në të gjithë Ballkanin Perëndimor

Shkruar nga Versus

Dënimet në Hagë, reagon kryediplomati britanik: Krenarë me

Mbretëria e Bashkuar ka reaguar pas vendimeve dënuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ministri britanik për Evropën, Lord Wood i Anfieldit, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës Speciale dhe procesin e saj gjyqësor, duke theksuar se Londra mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.

Në reagimin e tij, ministri britanik e cilësoi Mbretërinë e Bashkuar si një mik dhe partner të afërt të Kosovës, duke riafirmuar mbështetjen për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe për paqen në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Ne jemi krenarë për rolin që luajtëm, së bashku me aleatët e NATO-s, në parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, u shpreh Lord Wood.

“Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre”, tha më tej ministri britanik në reagimin publik.

Më tej, theksohet se “konstatimet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësinë të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe që siguria e njerëzve të jetë përparësia kryesore”.

Mbretëria e Bashkuar, tha ministri Lord Wood, “do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet”./Versus.al

 

Poll