Këngëtari i njohur shqiptar, Alban Skënderaj, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi në Instagram, Skënderaj shpreh revoltën dhe trishtimin e tij për vendimin, duke thënë se, sipas tij, dënimet nuk prekin vetëm individët e gjykuar, por edhe mënyrën se si perceptohen lufta e UÇK-së dhe historia e saj.
Artisti e lidh luftën e UÇK-së me kërkesën për liri dhe mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës përballë dhunës, dëbimeve dhe masakrave gjatë luftës.
Skënderaj thotë se është i revoltuar dhe i lënduar, ndërsa u bën thirrje shqiptarëve që të mos heshtin dhe të protestojnë kundër asaj që ai e cilëson si padrejtësi.
Postimi i plotë i Skënderajt në Instagram (pa ndërhyrje):
“Sot ndiej revoltë dhe trishtim të thellë.Ky vendim më dhemb dhe më indinjon.
Nuk po denohen padrejtësisht vetëm udhëheqesit e UÇK-së por po hidhet baltë mbi atë që UÇK-ja dhe lufta e saj përfaqësojnë për ne dhe për historinë tonë.
Një luftë që lindi nga nevoja për liri!Një popull që kërkonte të jetonte i lirë dhe të mbrohej përballë një regjimi që solli dhunë, dëbime, masakra dhe vuajtje të tmerrshme.
Sot jam i revoltuar. Jam i lënduar. Dhe mbi të gjitha, nuk dua të hesht!Të bashkuar të protestojmë kundër kësaj padrejtësie”.

