
Tre persona janë arrestuar në Elbasan, pasi dyshohen se merreshin me përgatitjen dhe shitjen e dozave të kokainës dhe kanabisit.
Sipas Policisë, një 18-vjeçar dyshohet se kryente aktivitetin në lokalin ku punonte si kamerier, si dhe në banesën e tij. Ai vepronte në bashkëpunim me vëllanë dhe personin që kishte marrë me qira lokalin në fshatin Mjekës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit dhe në banesa, efektivët e Policisë gjetën dhe sekuestruan dhjetëra doza me lëndë narkotike, të dyshuara kokainë dhe kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu 6 grirëse, 3 peshore elektronike, 2 celularë dhe një shkop metalik.
Të arrestuarit do të përballen me procedurat e mëtejshme ligjore, ndërsa materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

