E ftuar në emisionin “Task Force” me Sonila Meçon në Syri TV, Elhame Hetimi, ish-ushtare e UÇK-së, foli për proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Hetimi deklaroi se, pavarësisht qëndrimeve se proceset nuk prekin luftën e UÇK-së apo shtetin e Kosovës, në bankën e të akuzuarve ndodhen figura që kanë drejtuar UÇK-në dhe institucionet e Kosovës.
Ajo tha se mënyra e zhvillimit të procesit ka krijuar “shumë parregullsi” dhe dilema, duke ngritur dyshime mbi drejtësinë dhe vetë gjykatën.
Hetimi pretendoi gjithashtu se gjatë kohës së paraburgimit janë ngritur akuza të tjera, përtej akuzave për të cilat të pandehurit ishin marrë fillimisht në paraburgim.
Duke folur për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Hetimi tha se formimi i kësaj gjykate u pranua dhe u votua nga institucionet e Kosovës në kushtet e një presioni të madh ndërkombëtar.
Sipas saj, institucionet e Kosovës u përballën me paralajmërime se çështja mund të kalonte në një tjetër stad në kuadër të OKB-së.
Ish-ushtarja e UÇK-së e lidhi procesin në Hagë edhe me një dimension politik e kombëtar, duke argumentuar se gjykimi ka prekur jo vetëm individët e akuzuar, por edhe dinjitetin kombëtar shqiptar dhe perceptimin mbi luftën e UÇK-së.
Ajo kritikoi në veçanti pretendimet fillestare për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, të cilat i konsideroi të pabazuara.
Pjesë nga intervista:
Po, e dëgjova edhe fjalën përfundimtare të Gjykatës. Pavarësisht që deklarativisht thuhet se nuk është prekur lufta e UÇK-së, nuk është prekur shteti i Kosovës, në fakt nuk mund të na shpërqendrojnë nga ajo se në ato bankat e të akuzuarve janë kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kreu i shtetit. Të gjithë ata kanë shkuar si personalitete shtetërore, president, kryetar kuvendi dhe deputet i Republikës së Kosovës. Në fakt akuzat e ngritura dhe të iniciuara kanë qenë si ndërmarrje e përbashkët kriminale, të iniciuara nga Dick Marty, dhe më vonë të faktuara se nuk qëndrojnë. Ka pasur shumë parregullsi edhe drejt dilemat që neve na kanë bërë akoma më të paqartë dhe të dyshojmë shumë në këtë drejtësi dhe në këtë gjykatë. Kur janë marrë në paraburgim për një akuzë të caktuar, ndërsa gjatë kohës sa mbaheshin për atë akuzë kanë ngritur një aktakuzë tjetër të paparashikuar dhe të panjoftuar neve si opinion, si qytetarë, dhe vetë ata për të cilët janë mbajtur peng në paraburgim për një akuzë krejt tjetër.
Po gjykohen të gjitha! Ata kanë prekur në qenien shqiptare. Ata kanë prekur në dinjitetin kombëtar, jo vetëm të Kosovës dhe shqiptarëve në Kosovë, kanë prekur në dinjitetin e secilit shqiptar. Kanë prekur në të tashmen, kanë prekur në të ardhmen e kombit shqiptar.
Edhe vetë formimi i kësaj gjykate, që ka qenë krejt diçka e re, hibride, e paparë ndonjëherë, domethënë ka qenë e panjohur edhe për vetë krerët e shtetit të Kosovës të cilët e kanë ditur që janë edhe të akuzuar. Domethënë, presioni ndërkombëtar dhe barra e përgjegjësisë së shtetit të Kosovës, po edhe vetë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shtyri me e pranu formimin e saj, me e votu formimin e saj. Presioni i madh se do të kalonte në një stad tjetër të OKB-së si gjykatë e të tjera. Domethënë ramë, ndoshta kemi rënë përgjithësisht dhe kemi besuar... duke besuar në pastërtinë e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndoshta kemi rënë në lajthitjen e thikës pas shpine që na u bë nga eksponentë të caktuar dashakeqës dhe kundërshtarë të lirisë dhe të pavarësisë.
© SYRI.net
Vendimi i Hagës/ Gjokutaj: Ajo gjykatë u krijuar nga antishqiptarët, dhe sigurisht që do të prodhonte antishqiptarizëm
VIDEO/ Zaimi: Vendimi i Hagës është i papranueshëm, qytetarët prisnin lirimin e ish-krerëve të UÇK-së
Policia holandeze për protestat në Hagë: Dy të arrestuar dhe një polic i lënduar