Aktivisti Arbër Zaimi, nga Prishtina, ka komentuar në emisionin ‘Task Force’ në SYRI TV me moderatoren Sonila Meço vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zaimi tha se vendimi ka shkaktuar frustrim të madh te qytetarët e Kosovës, duke theksuar se pritshmëritë kishin qenë për një rezultat tjetër.
Duke folur për reagimet politike në Kosovë, Zaimi tha se vendimi është konsideruar i papranueshëm dhe jo-proporcional nga disa faktorë politikë. Ai krahasoi dënimet e ish-drejtuesve të UÇK-së me vendimet e dhëna ndaj personave të dënuar për krime gjatë luftës në Kosovë.
Sipas tij, një nga çështjet që duhet analizuar është raporti mes akuzave dhe viteve të dënimit. Zaimi iu referua edhe një analize të publicistit Veton Surroi, duke thënë se, sipas kësaj qasjeje, persona të dënuar për akuza më të rënda kanë marrë dënime më të ulëta.
Aktivisti foli edhe për nevojën e një qasjeje afatgjatë ndaj narrativave historike dhe zhvillimeve gjeopolitike. Sipas tij, Serbia dhe Rusia kanë ndjekur procese afatgjata, pavarësisht ndryshimeve të qeverive dhe liderëve politikë.
‘Është një atmosferë me shumë frustrim patjetër te qytetarët e Kosovës. Ajo ndihet edhe në rrjetet sociale, ndihet edhe në qytet, në rrugë. Nuk e kemi pritur, nuk e kanë pritur njerëzit një dënim të tillë dhe realisht qytetet kanë qenë të dekoruara me flamuj kombëtarë për të pritur lirimin e themeluesve të UÇK-së.
Është vënë tashmë në dukje nga shumica e faktorëve politikë, përfshi dhe kryeministrin e Kosovës e të tjerë, të cilët kanë thënë që ky është një vendim i papranueshëm dhe është një vendim tërësisht jo-proporcional, nëse kemi parasysh kush ka qenë agresori, kush kanë qenë kriminelët, kush kanë qenë kasapët në atë luftë, e dihet që kanë qenë pala serbe.
Të cilët faktikisht, fatkeqësisht dhe mjerisht për situatën ku jemi, janë dënuar shumë më pak, si në numra njerëzish të dënuar, ashtu edhe në vite të dënimeve. Pra ne po, unë e pashë një analizë interesante dhe patjetër me brumë, me të drejtë, të zotit Surroi që thotë që po, janë dënuar serbët për akuza më të rënda, janë dënuar për shembull edhe për krime në mënyrë të padiskriminueshme të drejtuara ndaj popullatës civile, ndërkohë që sot për shembull gjykata e rrëzoi këtë akuzë ndaj themeluesve të UÇK-së.
Megjithëse ata janë dënuar për akuza më të rënda, kanë marrë më pak vite. Ndërsa themeluesit e UÇK-së që ishin sot në Hagë, dënohen për akuza natyrisht shumë më të lehta krahasuar me këta, pra bien akuzat për krime ndaj njerëzimit e kështu me radhë, mirëpo megjithatë, vitet e dënimeve tregojnë për një vendim që është tërësisht i papranueshëm për ne si shqiptarë.
Mendoj që është punuar gjatë dhe dihet, tashmë po e pranojnë edhe vetë faktorët që e kanë mbështetur krijimin e kësaj gjykate te pala shqiptare, po mendoj faktorë të forcave si PDK-ja e të tjerë. Po e pranojnë që ky është një proces i cili ka filluar në Këshillin e Evropës, me iniciativë të një vektori ruso-serb. Pastaj për arsye të ndryshme gjeopolitike dhe për arsye të synimeve dhe të negociatave të pafundme, se kurrë gjeopolitika nuk mbaron së negociuari midis fuqive, aleatët tanë në një moment bënë presion që kjo gjykatë të pranohej.
E tash, këtu ku jemi, duhet ngritur edhe një çështje që sa fleksibël mund të jetë një shtet, sa elasticitet mund të tregojë një shtet. Unë mendoj që vjen një pikë ku cilido shtet, po patjetër që shteti ynë nuk mund të tregojë elasticitet. Pra, vjen një moment që dhe kërkesave të aleatëve u duhet thënë faleminderit, por unë nuk mund ta cenoj sovranitetin tim, nuk mund ta cenoj kujtesën time historike, nuk mund ta cenoj të vërtetën time historike ku themelohet pavarësia ime.
Ne duhet të nxjerrim vazhdimisht mësim. Historia jonë, megjithatë është një histori... qoftë Shqipëria që ka njëqind e disa vite pavarësi, qoftë Kosova që ka më pak se 20 vite pavarësi, janë të dyja megjithatë shtete të reja dhe ne duhet vazhdimisht të nxjerrim mësime nga historia jonë. Proceset e shtrimit të narrativave historike që kanë impakt gjeopolitik, janë procese të strukturuara dhe afatgjata.
Ne po flasim për procese që Serbia dhe Rusia i kanë nisur në fillim të viteve 2000, për të arritur sot rezultate. Fatkeqësisht, dhe po flasim për vende që kanë ndryshuar aty edhe presidentë, edhe qeveri, edhe kryeministra, por vektori i tyre gjeopolitik ka vazhduar në të njëjtën mënyrë pavarësisht që kanë ndryshuar forcat politike.
Te neve, neve shpesh jepemi në mënyrë qoftë edhe folklorike, pas le të themi iniciativave që kërkojnë të arrijnë shpejt suksesin, afatshkurtra pra. Neve shpesh na pëlqen të mburremi me lavdinë tonë dhe me fitoret tona. Unë mendoj që duhet të jemi me këmbë në tokë dhe duhet të jemi më të prirur për të mbështetur procese afatgjata që do të na sjellin rezultate të mira.
Sa i përket rezultatit të tanishëm, unë pashë me vlerësim të madh prej familjarëve të të gjykuarve në Hagë, të cilët për mua janë të pafajshëm pavarësisht dënimit të sotëm, pashë prej tyre një pjekuri njerëzore dhe qytetare shumë të madhe. Ata thanë që tashmë do të përqendrohemi te procesi i apelit dhe do të përpiqemi që përmes procesit të apelit ta përmbysim këtë vendim të shkallës së parë, gjë që ka ndodhur më përpara...’, u shpreh Arbër Zaimi gjatë bisedës në SYRI TV.
© SYRI.net
Vendimi i Hagës/ Gjokutaj: Ajo gjykatë u krijuar nga antishqiptarët, dhe sigurisht që do të prodhonte antishqiptarizëm
Policia holandeze për protestat në Hagë: Dy të arrestuar dhe një polic i lënduar
Elhame Hetimi: Në Hagë u gjykuan krerët e UÇK-së dhe shtetit, procesi ka krijuar dyshime për drejtësinë