Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë në ditën e 109-të, ndërsa qytetarët janë nisur në marshim nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, ku pritet të vijojë tubimi.
Protestuesit kundërshtojnë qeverinë dhe denoncojnë, sipas tyre, aferat korruptive dhe kapjen e institucioneve, ndërsa prej ditësh kanë paralajmëruar përshkallëzim të aksionit qytetar.
Gjatë tubimit, protestuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen të enjten në orën 10:00 para Parlamentit, në kohën kur pritet të nisë seanca plenare.
“Do të jemi të gjithë të enjten në orën 10:00 te Parlamenti”, ishte thirrja e bërë nga protestuesit, duke paralajmëruar se aksioni nuk do të kufizohet vetëm te tubimet para Kryeministrisë.
Në këtë kuadër, aktivisti Arben Kola ka bërë thirrje për mosbindje civile dhe mobilizim para Parlamentit. Ai ka deklaruar se çdo ditë kur Kuvendi zhvillon seancë duhet të shërbejë, sipas tij, si moment për përballje me qeverinë dhe mazhorancën.
“Nesër është protestë te parlamenti që në orën 10:00 ku ka seancë. Ftoj ata shqiptarë që kërkojnë mosbindjen civile që sa herë ka parlament është momenti i përplasjes me parlamentin e korruptuar dhe qeverinë e korruptuar. Vezët dhe mjetet i dimë tashmë, mjetet më demokratike në terren”, është shprehur Kola.













