Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e komentuar aktgjykimin në një konferencë për mediat.
Pavarësisht dënimeve që në total arrijnë në 81 vite burgim, Vuçiç tha se vendimi nuk përputhet me atë që Serbia ka pretenduar prej vitesh lidhur me krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Gjatë konferencës, presidenti serb analizoi pjesë të ndryshme të vendimit dhe u ndal te akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, trupi gjykues nuk ka konstatuar sulme sistematike ndaj popullsisë civile dhe ka rrëzuar të gjashta pikat e aktakuzës që lidhen me këtë kategori krimesh.
“Është e rëndësishme të theksoj se trupi gjykues nuk konstatoi sulme sistematike kundër popullsisë civile. Nuk deshën ta rrënonin kredibilitetin e UÇK-së. Çfarë nuk përfshihet në këtë vendim? Krimet kundër njerëzimit. Të gjashta pikat e aktakuzës u hodhën poshtë”, deklaroi Vuçiç.
Ai pretendoi gjithashtu se në vendim nuk janë marrë në konsideratë krime të kryera ndaj serbëve pas përfundimit të luftës, duke përmendur edhe pretendimet e njohura lidhur me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
Në konferencë, Vuçiç shfaqi fotografi që, sipas tij, lidhen me viktima serbe dhe argumentoi se për këto raste nuk është vendosur përgjegjësi penale.
“Mund t’ju tregoj vetëm këtë fotografi, që ta shihni se çfarë masakre është kryer dhe, siç e shihni, as për këtë krim askush nuk është përgjigjur. Kemi edhe shumë fotografi të tjera. Nuk janë marrë në konsideratë”, u shpreh ai.
Në fund, presidenti serb bëri thirrje për të mos e parë vendimin me eufori, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar ende dhe se vendimi mund të ankimohet në instanca të tjera.
“Ne nuk kemi arsye as të gëzohemi, as të pikëllohemi. Edhe nëse vendimi konfirmohet, ekziston edhe një instancë e tretë. Prandaj nuk duhet ta presim këtë vendim me eufori, por të jemi të duruar”, deklaroi Vuçiç.












