Pas dënimeve të rënda sot në Hagë, Muli thirri Lelon të diskutonin se çfarë qëndrimi duhet të mbanin.
– Në këto raste është mirë të dënojmë Gjykatën e Hagës dhe të themi që ka fabrikuar faktet e dhëna nga Vuçiçi, që është mik i Edi Ramës, – tha Lelo.
– Puna është që mund t’u mbetet qejfi Doktorit, se ai e ka akuzuar Thaçin që ka vrarë 23 kryetarë komunash të LDK-së, – i tha Lelo. – Pastaj na del edhe Doktori i lidhur me serbët.
– Ashtu, po ke të drejtë, tani u kujtova.
– Atëherë të themi që Haga ka dënuar luftën e UÇK-së, – tha Muli.
– Duhet të mos nxitohemi, se luftën e UÇK-së e ka dënuar edhe Doktori, – tha Lelo. – Madje i ka denoncuar edhe në kancelaritë perëndimore si terroristë.
– Po ke të drejtë, – tha Muli. – Tani u kujtova.
– Atëherë mendoj të themi se faktet e mbledhura nga UNMIK-u janë vepër e serbëve.
– Këtu kujdes, – tha Lelo, – se atë njësi në UNMIK e ka pas drejtuar Argita dhe Jamarbri. Pastaj na komplikohet puna, se duhet të sqarojmë rolin e saj. Deri tani kemi sqaruar se me ato lekë ka blerë pesë apartamentet e para. Po u hap prapë ai muhabet, kushedi si del.
– Ah, po ke të drejtë. Po sikur kanë akuzuar Lul Bashën për këtë, – tha Muli. – Akuzojmë Lulin.
– E, s’e bëjmë dot, se e ka mbrojtur Doktori, – tha Lelo. – Ka thënë që ai ka denoncuar Millosheviçin, jo UÇK-në.
– Po ke të drejtë, – tha Muli, – po çfarë të themi, se njerëzit presin?
– S’kemi përvojë në këto punë, – tha Lelo, – se ne zakonisht gjykatat i trajtojmë si SPAK-u kur i kemi kundër. Tani, gjithçka kemi thënë për Hashimin, Gjykata e ka marrë seriozisht dhe e ka dënuar. Duhet ta lavdërojmë.
– Jo, në asnjë mënyrë, – tha Muli. – Më mirë bëjmë sikur s’e kemi mendjen.
Lini një Përgjigje