
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar rëndësinë e respektimit të vendimit të gjykatës së Hagës ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së dhe të viktimave.
Përmes një deklarate, Rudolph nënvizoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe synimi për një Kosovë të pavarur nuk ishin objekt i gjykimit.
“Siç theksoi kryetari i trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ishte në gjyq, sikurse nuk ishte as qëllimi i saj për një Kosovë të pavarur”, thuhet në deklaratën e ambasadorit gjerman.
Rudolph theksoi se Gjermania e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara që nga themelimi i tyre, duke e konsideruar këtë mekanizëm si një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, "në forcimin e sundimit të ligjit dhe në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”.
Ambasadori gjerman e cilësoi themelimin e DhSK-së dhe bashkëpunimin me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) si dëshmi të përgjegjësisë së Kosovës për të përballuar të kaluarën e saj.
Sipas tij, përmes këtyre proceseve, Kosova ka treguar se, si shtet i pavarur dhe sovran, po përmbush përgjegjësinë e saj për trajtimin e krimeve të luftës.
Në të njëjtën kohë, Rudolph theksoi se aktgjykimi i shpallur në Hagë nuk e ndryshon përgjegjësinë e aktorëve jugosllavë për luftën dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë viteve ’90.
“Aktgjykimi në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të shkaktuara ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90”, thuhet në deklaratë./Versus.al

