E mërkurë, 16 Shtator 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Kohëra Lufte (I Fundit) Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 2 orë më parë
Kosova

Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, analisti për Vizion Plus: Prodhoi hidhërim, do të përdoret nga Serbia!

Ilustrim · Vizion Plus

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Të katër janë shpallur fajtorë për një sërë akuzash për krime lufte dhe janë dënuar në total me 81 vite burgim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burg. Kadri Veseli është dënuar me 18 vite burg. Jakup Krasniqi është dënuar gjithashtu me 25 vite burg. Ndërsa Rexhep Selimi është dënuar me 13 vite burg. 

 Analisti Ylli Hoxha, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderimin e Aleksandër Furxhi, shprehet se dënimet kanë sjellë brengë dhe mërzi, duke e cilësuar vendimin si të rëndë për katër ish-krerët e UÇK-së.

Sipas Hoxhës, në vendimin e sotëm nuk u vërtetua një pjesë e pretendimeve të prokurorisë, përfshirë akuzën për përndjekje sistematike të popullatës.

Hoxha paralajmëron gjithashtu se vendimi mund të përdoret politikisht nga Serbia dhe aktorë të tjerë që kanë qëndrime kritike ndaj Kosovës.

INTERVISTA E PLOTË:

Vërtet prokurorët e Hagës, prokurorët e Gjykatës Speciale të Kosovës kishin kërkuar nga dyzet e pesë vjet dënim për secilin prej ish-udhëheqësve të UÇK-së. Megjithatë, dënimi i shqiptuar sot na vjen shumë rëndë si shqiptarë, si komb shqiptar, apo jo?

Hoxha: Absolutisht po. E ndajmë të gjithë atë brengë dhe mërzi për një dënim drakonik, do të thoja, për katërshen e UÇK-së. Mos të harrojmë se në këtë katërshe është një prej personazheve të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, z.Thaçi, i cili ka qenë edhe nënshkrues i Rambujesë, edhe protagonist i procesit të Vjenës i cili solli pavarësinë, pastaj ishte kryeministër për dy herë radhazi dhe president i Kosovës. Dhe ironikisht, Kosova bëhet i vetmi vend i ish-Jugosllavisë i cili ka një profil të tillë të lartë politik të dënuar për krime lufte, ndonëse ishte vendi ndoshta që kishte kapacitetet më të ulëta ushtarake dhe numri i viktimave në anën tjetër nga pala kosovare ishte më i vogli, drastikisht më i vogël se në proporcione të tjera. Por ky është verdikti i cili besoj se prodhoi hidhërim edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, dhe kudo që janë shqiptarët.

Gjithsesi, për Kosovën data e sotme, 16 shtatori, do të jetë një ditë historike për historinë moderne të Kosovës, por nga ana tjetër duhet thënë se do të ketë nga ata njerëz që nuk ia duan të mirën shqiptarëve se do të thonë që krimet e rënda janë tashmë edhe në anën e shqiptarëve, jo vetëm të serbëve. Pra, në një farë mënyre duket sikur është vendosur një lloj barazimi që, për ta pranuar të gjithë, është i padrejtë, apo jo?

Hoxha: Gjithsesi do të jetë një njollë, por ajo që është e rëndësishme të vlerësohet në gjykimin e sotëm është se nuk u dënua përndjekja sistematike e popullatës, që ishte pretendim i prokurorisë. Pra, nuk u vërtetua një pjesë e konsiderueshme e pretendimeve të prokurorisë të cilat, ta zëmë, do ta barazonin ose do ta çonin në barazpeshë një verdikt të tillë. Ta zëmë, për ndërmarrje kriminale të përbashkët janë dënuar udhëheqësia e Serbisë, dhe të themi të drejtën, por ata janë të dënuar për një proces sistematik të dhunës, të dënimit, të zbrazjes së Kosovës, përndjekjes së njerëzve, vrasjeve, të cilat po ashtu janë vërtetuar. Dhe ironikisht, dënimet për ata njerëz, siç ishte Shainoviçi, Petkoviçi e Ojdaniçi, janë më të ulëta se dënimet që mori katërshtja e UÇK-së, ndonëse përmasat e krimit ishin dramatikisht më të mëdha. Kjo e krijon këtë ndjenjë padrejtësie dhe këtë ndjenjë frustrimi brenda nesh. Gjithsesi ky është një moment i cili do të shënohet në historinë tonë dhe të cilin jo vetëm Serbia, por të gjithë ata që kanë një antipati ndaj Kosovës do ta përdorin në të ardhmen. Prandaj konsideroj se ndaj këtij momenti do të duhej të ishim sot më të përgatitur se sa jemi. Do të duhej të kishim një konsolidim shumë më të madh shoqëror dhe një parapërgatitje se si do të duhej të vepronim si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në atë të sigurisë, për t’ju kundërvënë një ofensive të pritur serbe që do të pasojë pas këtij vendimi. Unë shpresoj që nga dita e sotme të jetë nxjerrë ky leksion, që elita politike do të reflektojë duke ndërtuar tryezë komunikimi, të ndërtojë institucione dhe para së gjithash të investojë që në procesin e apelimit të rastit të ketë një punë sistematike e cila do të rrëzojë këto pretendime dhe këtë vendim të gjykatës të marrë sot.

Mes nesh duhet ta pranojmë që ndoshta ka pasur dhe shqiptarë, flasim gjithmonë për politikanë, për njerëz me përgjegjësi politike, që edhe mund të jenë kënaqur nga vendimi i sotëm. Ka zëra të tillë në sferën publike. Si mendoni? A janë ata të rëndësishëm? A është një komponent për t’u konsideruar ky konstatim?

Hoxha: Unë thellësisht besoj se duhet bërë ndarja e rivaliteteve të brendshme politike nga analiza e këtyre momenteve. Këto nuk janë momente nga të cilat do të përfitojë kush politikisht apo do të kënaqet kush politikisht. Duhet këqyrur nga një dimension i interesit të përgjithshëm kombëtar dhe duhet trajtuar me seriozitetin maksimal. Nuk ka vend këtu për triumfalizma lokalë e primitivë. Nëse dikush ka me të vërtetë ndjenja të tilla, më vjen keq për ta, por duhet të kemi një peshë serioziteti sepse kjo nuk është gjë e vogël. Kosova me shumë vështirësi ka mbërritur në pikën ku është në aspektin e shtetndërtimit dhe kjo mund të jetë pengesë e cila rëndon një proces ashtu-kështu të rëndë për të arritur atë synim që ka populli i Kosovës dhe për të cilin ka sakrifikuar shumë. Prandaj nuk do të doja ta fokusoja vëmendjen aty. Do ta fokusoja tek veprimet të cilat nuk i ndërmorëm deri sot, tek konstituimi i institucioneve, tek dialogu i brendshëm politik, tek shuarja e polarizimit të skajshëm i cili është krijuar dhe fokusimi te përqendrimi kryesor strategjik, që është ndërtimi i këtij shteti, por edhe ballafaqimi me sfidat si kjo. Dhe një prej sfidave të mëdha do të jetë apelimi i këtij rasti pranë të njëjtës gjykatë, por me një ekspertizë e cila do të mundësojë të aspirohet ajo që arriti rasti Gotovina në Kroaci, i cili pas dënimit prej njëzet e katër vitesh arriti të shpallet i pafajshëm në apel.

/vizionplus.tv

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.