
Ish-kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko, përmes një interviste e ka cilësuar vendimin e dhënë sot në Hagë për 4 ish-drejtuesit e UÇK-së dramatik dhe përpjekje për të deformuar historinë.
“Megjithëse dëgjoj se UÇK-ja doli e pastër, kam një ndjenjë pesimizmi. Është e disata herë që përpiqen të na deformojnë historinë. Nuk mund të thuash doli nga kjo histori e pastër UÇK-ja, që doli e papërlyer. Është fakt historik që UÇK-së ose i janë vrarë, ose i janë dënuar komandantët. Kjo është dramë dhe duhet vlerësuar thellësia e saj”, tha Majko.
I pyetur për reagimin që duhet të ndërmarrin dy shtetet shqipfolëse, Kosova dhe Shqipëria, në rrafshin politik, Majko tha se vendimi i Hagës tregoi se Kosova s’ka tjetër vec Shqipërisë dhe e anasjellta.
“Bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës duhet të jetë më njerëzor dhe shumë më realist. Duhet t’i jepet fund idesë se “unë jam pak burrë më i mirë se ky i lagjes tjetër”. Besoj se sot kanë parë njerëz duke qarë, fëmijë, ish-ushtarë të UÇK-së, policë dhe drama është e jashtëzakonshme nga plani njerëzor. Por nuk ka nevojë që shteti i Kosovës dhe Shqipërisë të qajë por duhet “të shtrëngojnë” dhëmbët dhe të mbajnë qëndrim dinjitoz. Çdo reagim inati është më shumë dobësi”, tha Majko. Ai theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vlerësojë këtë akt jo si një akt personal por si akt që na ka goditur të gjithëve.
I pyetur për marrëdhënien e tij me ish-presidentin Hashim Thaçi, ai vlerësoi rolin e tij për themelimin e shtetit të Kosovës duke theksuar se tani e ka mik më shumë. /Versus.al

