Nga Kuvendi i Partisë Demokratike të degës së Krujës, deputeti Gent Strazimiri deklaroi se demokratët do të vijojnë betejën politike, pavarësisht kalkulimeve dhe presioneve që kanë shoqëruar forcën politike gjatë viteve të fundit.
Duke iu referuar pesë viteve nga nisja e “Foltores”, Strazimiri tha se demokratët kanë zgjedhur të ndjekin atë që e cilësoi si “të vërtetën”, duke u shndërruar nga politikanë në “misionarë” të demokracisë dhe lirisë.
Strazimiri u ndal te beteja politike në Krujë, duke deklaruar se Partia Demokratike synon të fitojë sërish Bashkinë.
“Do ta fitojmë Bashkinë e Krujës siç e fituam herën e fundit në rezultat, përballë bandave, përballë krimit, përballë korrupsionit”, tha deputeti demokrat.
Ai theksoi se demokratët do të vijojnë të qëndrojnë të bashkuar dhe të përballen me sfidat politike, duke e mbyllur fjalën me mesazhin se “si misionarë do t’ia dalim”.
Fjala e tij:
Mirëmbrëma dhe faleminderit, mirë se keni ardhur. Mirë se keni ardhur doktor Berisha, në këtë takim të parë me demokratët mbas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku dikush thoshte që nuk do të shkelnit më. Nuk është rastësi, unë besoj që nuk është rastësi se ka një zot në qiell.
Sot, 16 shtator, fiks në këtë orë, pesë vjet më parë kemi qenë në hotel Rogner, të gjithë bashkë edhe një pjesë e mirë e juve që jeni këtu dhe shumë demokratë, duke organizuar 'Foltoren' e parë, që ishte ajo më e rëndësishmja dhe besoj më emocionalja për secilin prej atyre që e ndoqën nga televizori apo që ishte i pranishëm në sallë.
Që prishi shumë hesape politike, që grisi shumë kalkulime, dhe që doli jashtë çdo parashikimi. Askush në atë moment nuk mendonte se ishte e arsyeshme, ishte e logjikshme, ishte e mençur të vazhdoje të mbeteshe demokrat. Kundër qeverisë, kundër policisë, kundër prokurorisë, kundër gjyqësorit, kundër krimit të organizuar, kundër krimit të çorganizuar, kundër të huajve me imunitet, kundër të huajve pa imunitet. Hesapi politik asnjë politikani nuk e çonte në krah të Sali Berishës në atë kohë. Mendjet perverse këtë kalkulim kishin bërë.
Çfarë bëtë ju? E morët atë letër dhe e grisët, e morët atë laps edhe e thyet dhe i hodhët në plehra. Nga ai moment rreshtët së qeni politikanë, u kthyet në misionarë. Vendosët t'i shkonit mbrapa së vërtetës pavarësisht se çfarë ka përpara, pavarësisht se cili është çmimi që do të paguanit për t'i mbërritur deri në fund asaj. Sot mbas pesë vitesh, ja ku jemi të gjithë bashkë këtu. Nuk besoj se ka pasur forcë tjetër politike në botë, në demokracisë, e Shqipëri jo e jo, që të ketë vuajtur atë që vuajtën, atë që mbajtën demokratët në krah.
Mbajtën gjithçka, duke qenë të bindur se kanë vetëm Zotin me vete. Por Zoti askënd s'e ka takuar deri më sot. Me këtë bindje dhe me njëri-tjetrin krah për krah, prishëm shumë hesape politike që vinin mbrapsht, që kishin mbaruar bashkë me pluralizmin politik. Sot, ja ku jemi. Jemi sepse hodhëm poshtë kalkulimet politike dhe u sollëm si misionarë. U sollëm si ata që nuk kanë gjë për të humbur dhe janë të gatshëm të japin gjithçka për atdheun, gjithçka për demokracinë, gjithçka për lirinë. Sot cilido që pyet si do t'ia bëni? Sepse hesapet politike prapë askujt nuk i dalin. Kanë harruar që ne nuk jemi më politikanë, nuk jemi thjesht politikanë.
Ne jemi misionarë, atë ditë që grisëm letrën dhe lapsin pervers të atyre kalkulimeve politike. Si misionarë do të vazhdojmë betejën tonë. Si misionarë do t'ia dalim. Si misionarë nuk ka gjë që na thyen sepse nuk kanë ç'na bëjnë më shumë nga ç'na kanë bërë. Përpara kemi veç të mira, përpara kemi vetëm fitore, e kemi njëri-tjetrin, do ta fitojmë Bashkinë e Krujës siç e fituam herën e fundit në rezultat, përballë bandave, përballë krimit, përballë korrupsionit. Zoti e bekoftë demokratët e Shqipërisë, Zoti i bekoftë demokratët e Krujës, Zoti e bekoftë atdheun tonë, Shqipërinë!
© SYRI.net