Protesta në Divjakë ka vijuar për të 48-tën ditë, ndërsa qytetarët kundërshtojnë reformën e propozuar administrative-territoriale, e cila parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre. Edhe pse numri i protestuesve mbetet i ulët, qytetarët vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në shesh, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj humbjes së institucioneve lokale dhe asaj që e konsiderojnë një kërcënim për identitetin e qytetit.
Protestuesit shprehen se nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre, pavarësisht ndërhyrjeve, presioneve dhe kërcënimeve që, sipas tyre, janë ushtruar gjatë ditëve të protestës. Mesazhi i tyre mbetet i njëjtë: “Divjaka bashki!”
Në përfundim të protestës, qytetarët vijuan me një marshim në rrugët e qytetit, duke kërkuar që Divjaka të ruajë statusin e bashkisë dhe të mos përfshihet në një njësi të përbashkët administrative me Lushnjën. Protesta pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa qytetarët këmbëngulin se do të vazhdojnë të kërkojnë ruajtjen e autonomisë administrative të Divjakës.












