Këngëtaret shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa dhe Rita Ora, kanë reaguar në rrjetet sociale pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Dua Lipa ka publikuar në Instagram Story logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shoqëruar me hashtagun “Liria Ka Emër”, në një reagim pas vendimit të gjykatës.

Në një tjetër postim, artistja shqiptare ka shpërndarë të dhëna mbi pasojat e luftës në Kosovë, duke përmendur rreth një milion refugjatë, 11 mijë persona të vrarë, mes tyre 1 mijë e 24 fëmijë, rreth 20 mijë persona të dhunuar dhe 1 mijë e 600 të zhdukur.

Edhe Rita Ora ka reaguar publikisht pas vendimit të Hagës. Ajo ka publikuar në Instagram një fotografi të “Image of Kosovo”, ku shfaqet emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Duke luftuar për Kosovën që sot e quajmë shtëpi”, shkruhet në përshkrimin e fotografisë së publikuar nga këngëtarja.

Reagimet e dy artisteve shqiptare vijnë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, vendim që ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë.

