Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënoi me 81 vite burg në total Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ka sjellë reagime të shumta në Kosovë dhe në mesin e figurave publike shqiptare, të cilat e kanë cilësuar vendimin si të padrejtë. Në mesin e reagimeve më të komentuara janë ato të dy këngëtareve me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora.
Rita Ora ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me përshkrimin: “Duke luftuar për Kosovën që sot e quajmë shtëpi”.
Edhe Dua Lipa ka reaguar me dy postime në Instagram. Në njërin prej tyre shfaqet mesazhi “Liria ka emër”, i shoqëruar me emblemën e UÇK-së.
Në postimin tjetër, këngëtarja ka renditur shifrat e pasojave të luftës në Kosovë nga forcat serbe, ku përmenden 1 milion refugjatë, 11 mijë të vrarë, 1.024 fëmijë të vrarë, 20 mijë persona të dhunuar dhe 1.600 persona që rezultojnë ende të zhdukur.
